Ky është momenti dramatik kur dy vëllezër sulmuan oficerët e policisë britanike ndërsa përpiqeshin t'i arrestonin në aeroportin e Mançesterit verën e kaluar, e pamjet iu shfaqën sot një jurie.

I kapur nga dy kënde nga kamerat e sigurisë, tregon dhunën që shpërtheu kur policia u përpoq të ndalonte Mohammed Fahir Amaaz në një pikë pagese, transmeton Telegrafi.


Ai ishte identifikuar si personi që kishte goditur me kokë një pasagjer në një kafene Starbucks në zonën e mbërritjeve pak minuta më parë, u tha në Gjykatën e Liverpulit.

Anëtarëve të jurisë iu tha se dhuna që shpërtheu pranë pikës së pagimit të parkimit në orën 8.28 të mbrëmjes më 23 korrik të vitit të kaluar, zgjati vetëm tre minuta.

Amaaz, 20 vjeç, u pa duke goditur dhjetë grushte ndaj oficerëve gjatë dhunës, ndërsa vëllai i tij - Muhammad Amaad, 26 vjeç, i cili është gjithashtu në gjyq – “shpërndau gjashtë grushte.

Amaaz gjithashtu goditi dy herë me bërryl dhe shkelma oficerët, njëri prej të cilëve pësoi një thyerje hunde.

Pamjet e paraqitura jurisë tregojnë Amaad në pikën e pagimit përpara se vëllai i tij të ecë pranë tij, ndërsa treshja e oficerëve hyn në holl. Polici Zachary Marsden – i cili ishte i armatosur – shihet më pas duke e kapur Amaaz-in nga krahu dhe duke i vendosur dorën tjetër në pjesën e pasme të kokës.

Oficeri i armatosur tha se ai sulmoi me forcë pasi kishte frikë se njëri nga vëllezërit po përpiqej t’i nxirrte pistoletën nga këllëfi gjatë përleshjes.

Ndërsa përpiqej të merrte kontrollin e Amaaz-it për ta arrestuar, ai tha se ndjeu një “peshë të madhe” që e shtypte nga pas – që vinte nga vëllai i tij Amaad.

Megjithatë, policët arritën ta marrin kontrollin e situatës kur nga brezi nxorën elektroshokët me të cilët i goditën të dyshuarit. /Telegrafi/