Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë dhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, të parashtruar nga paditësja, Prokurore e Shtetit, M.K. – G., për shfuqizimin e dispozitave nga neni 5 paragraf 1 dhe 2, dhe neni 10 paragraf 11 dhe 12 të Rregullores Nr.05/2025, për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë, të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor, procedimit dhe vlerësimit të provave, Gjykata Supreme, konstatoi se dispozitat që lidhen me reflektimin e përfaqësimit gjinor dhe shumetnik në përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të përcaktuara në nenin 5 të rregullores kontestuese, nuk vendosin kushte të reja për kandidim.


"Këto dispozita synojnë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe kushtetuese për sigurimin e përfaqësimit të barabartë, një standard që duhet të arrihet në përbërjen përfundimtare të institucionit, duke siguruar që ky institucion të pasqyrojë pluralitetin shoqëror dhe diversitetin gjinor".

Po ashtu bëhet e ditur se sipas Gjykatës Supreme, vlerësimi paraprak i përfaqësimit dhe mundësia e zhvillimit të konkursit për gjininë ose komunitetin e nën-përfaqësuar është një masë pozitive dhe e përkohshme, në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë dhe mos diskriminimit, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

"Në këtë drejtim, Gjykata Supreme i referohet Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), si dhe standardeve të GJEDNJ-së. Sa i përket nenit 10 të rregullores, Gjykata Supreme, vlerësoi se zgjedhja e anëtarëve prokurorë nga Konferenca e Përgjithshme e Prokurorëve dhe votimi në nivel të Prokurorive, janë në përputhje me ligjin në fuqi, ndërsa dispozitat kontestuese duhet lexuar në harmoni me normat tjera ligjore që rregullojnë përbërjen e KPK-së".

Po ashtu siç thuhet në njoftim Gjykata Supreme vlerëson se konferenca e përgjithshme është forumi institucional ku realizohet procesi zgjedhor, ndërsa modalitet e votimit brenda saj mund të strukturohen në përputhje me nivelin e përfaqësimit.

"Lidhur me pretendimet për diskriminim, Gjykata Supreme thekson se paditësja i përket të njëjtës gjini dhe etni si kundër-kandidatja, e njëjta ka pasur mundësinë të kandidojë dhe ka marrë pjesë në procesin zgjedhor, por nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për t’u zgjedhur anëtare e KPK-së. Gjykata gjithashtu rikujton se, sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së, jo çdo ndryshim në trajtim përbën diskriminim. Mbi këtë bazë, Gjykata Supreme ka refuzuar edhe kërkesën për caktimin e masës së posaçme të sigurimit", thuhet në njoftim. /Telegrafi/