Reali i uron gjithë të mirat ''kapitenit të dashur'' Iker Casillas pas sulmit në zemër

Real Madridi ka lëshuar një komunikatë në përkrahje të ''kapitenit të dashur'' Iker Casillas pasi portieri pësoi një sulm në zemër në stërvitjen e Portos.
37-vjeçari gjatë stërvitjes ra pa ndjenja dhe kështu u dërgua menjëherë në një spital në qytetin e Portos.
Aty mori trajtim të menjëhershëm dhe tani gjendja e tij është mirë dhe jashtë rrezikut për jetë. Pasi u bë lajmi publik në media, reagimi ishte i madh nga bota e futbollit dhe normalisht nuk mungoi përkrahja nga Real Madridi.

"Real Madridi dëshiron të transmetojë gjithë mbështetjen për kapitenin e dashur. Iker Casillas na ka mësuar gjatë karrierës së tij se si t'i kapërcejmë sfidat e vështira për të rritur lavdinë e klubit tonë".
"Na ka mësuar se dorëzimi nuk përshtatet me filozofinë tonë të jetës dhe na ka treguar shumë herë të jesh i fortë është sfida më e vështirë në rrugën e fitores".
"Real Madridi dëshiron të shikojë kapitenin e përjetshëm të rimëkëmbet sa më shpejt që është e mundur dhe i dërgojmë atij gjithë guximin e botës", shkruan Real Madridi. /Telegrafi/









































