Achraf Hakimi vazhdon të konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Paris Saint-Germain, pavarësisht spekulimeve të reja që e lidhin me një rikthim të mundshëm te Real Madridi.

Mbrojtësi 26-vjeçar nga Maroku zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve, gjatë fitores (1-2).


Hakimi është bërë i pazëvendësueshëm për PSG-në, duke sjellë lidership dhe stabilitet në skuadër, ndërsa ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje këtë sezon.

Sipas gazetës MARCA, Real Madridi po e ndjek nga afër situatën e Hakimit. Në "Santiago Bernabeu" mendohet se largimi i tij në vitin 2020 ishte një gabim, ndërsa paraqitjet e tij në Francë kanë treguar qartë se ai është një mbrojtës i nivelit botëror.

Miqësia e ngushtë me Kylian Mbappe, tashmë pjesë e Realit, mund të luajë gjithashtu rol në të ardhmen.

Megjithatë, një transferim duket i pamundur për momentin. Hakimi është nën kontratë me PSG-në deri në vitin 2029 dhe klubi e konsideron një figurë kyçe në projektin e trajnerit Luis Enrique, së bashku me Ousmane Dembelen dhe Vitinhan.

Po ashtu, kufizimet financiare dhe rregullat e fair-play financiar e bëjnë një rikthim te Reali të vështirë.

Për momentin, fokusi i Hakimit mbetet te PSG-ja, ku ai vazhdon të udhëheqë ekipin brenda dhe jashtë fushës.

Prioriteti i tij është të fitojë trofe në Paris dhe të ruajë statusin si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë, ndërsa një rikthim në Madrid mbetet vetëm një mundësi e largët. /Telegrafi/

telegrafi sport app