Pas votimit të tri projektligjeve që ndërlidhen me transformimin e FSK-së, Kosova nga sot e ka ushtrinë e saj. Forca të Armatosura.
Ambasada e Francës së Kosovë, nëpërmjet një njoftimi për media ka thënë se Franca njeh miratimin e ligjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat parashikojnë tranzicionin e saj gjatë një dekade.
Sipas njoftimit, Franca kërkon që të rifillojë dialogu me Serbinë.
“Franca dëshiron mbetjen në fuqi të marrëveshjeve me KFOR-in lidhur me praninë e FSK-së në veri të vendit. Ajo i bën thirrje Kosovës që të rifillojë sa më shpejt dialogun me Serbinë me qëllim të arritjes së normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve”, thuhet në njoftimin e tyre.
Përkrahje të pa rezervë FSK-së në ushtri i ka dhënë SHBA-ja, derisa pro është shprehur edhe Gjermania.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripohuar mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës.
Gjermania ka thënë se miratimi i ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri nuk bën të shfrytëzohet për përshkallëzim dhune dhe ka ftuar Serbinë e Kosovën për përmbajtje.
“Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë t’i formojë forcat e veta të rregullta e të armatosura”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Rainer Breul.
Pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, kundër këtij veprimi ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai ka shprehur keqardhje që ky vendim është marrë, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO-ja. /Telegrafi/