Janë arrestuar edhe dy të dyshuar në operacionin policor kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në fshatin Karaçevë.

Lajmin e ka bërë të ditur PK përmes një njoftimi.


“Janë arrestuar dy persona të dyshuar që ishin në kërkim policor, pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve dhe në prezencë të avokateve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet nga Policia e Kosovës.

“Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim edhe të dyshuarave tjerë”, theksohet tutje.

Ndërkaq, javën e kaluar policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, arrestuan dy persona, rrënuan tri objekte ilegale e sekuestruan një sërë aparatesh të lojërave të fatit në Karaçevë.

Pavarësisht aksioneve të rrënimit dhe patrullimeve që Policia e Kosovës thotë se i bën, kazinotë ilegale kanë vazhduar të ndërtohen.

Në shtator të vitit 2020 u zhvillua një aksion i gjerë i rrënimit të kazinove në Karaçevë.

Prokuroria Themelore e Gjilanit njoftoi për arrestimin e 35 personave në atë aksion - prej tyre 12 ishin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në nëntor të po të njëjtit vit, Prokuroria Themelore e Gjilanit ngriti aktakuzë kundër 73 personave të dyshuar për rastin “Karaçeva”.

Shumica u akuzuan për kontrabandim me mallra, nëntë të tjerë u akuzuan për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa 20 të tjerë për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.​

Ndryshe, operimi i lojërave të fatit është i ndaluar me ligj që nga maji i 2019-s./Telegrafi/

bi