Kuvendi i Komunës së Malishevës ka ka mbajtur mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit, ku është bërë edhe prezentimi i raporti vjetor të punës për vitin 2024 nga kryetari i komunës Ekrem Kastrati, si dhe drejtoritë komunale.

Kastrati paraqiti në mënyrë kronologjike punën dhe të arriturat e qeverisë komunale, duke veçuar si projekt kryesor ndërtimin e parkut dhe parkingut nëntokësor në Malishevë, që tha se ishte drejt përfundimit dhe po realizohej sipas planifikimeve.


Ai foli gjithashtu për mbështetjet në sektorin e bujqësisë dhe për nisma të tjera që kishin për qëllim përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ku përveç këtyre raportimeve Kastrati iu përgjigj edhe pyetjeve të parashtruara nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Malishevës.

Gjatë mbledhjes, Kuvendi miratoi pesë kërkesa të qytetarëve, vendosi për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në 2025, shqyrtoi raportin financiar tremujor dhe miratoi planin trevjeçar të veprimit për banimin social.

Një vendim i veçantë ishte formimi i Këshillit Organizativ për shënimin e 16 Qershorit, Ditës së Dëshmorëve dhe Ditës së Çlirimit të Komunës së Malishevës.

Po ashtu, u miratuan kërkesat për dhënien në shfrytëzim të pronës publike dhe u formua komisioni përkatës për këtë çështje.

Kuvendi vendosi gjithashtu për përfundimin e procedurës së këmbimit të pronës publike me atë private.

Në fund, Kuvendi e miratoi edhe kërkesën e kryesisë së fshatit Bellanicë për bashkimin e tri parcelave në një të vetme, për nevoja të komunitetit.