LAJMI I FUNDIT:

Raporti i ekspertizës për rastin Dehari – akuza dhe kundërakuza të ministrave Haxhiu dhe Sveçla me Prokurorinë Speciale

Raporti i ekspertizës për rastin Dehari – akuza dhe kundërakuza të ministrave Haxhiu dhe Sveçla me Prokurorinë Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës më 12 prill ka bërë të ditur se ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Siç kishte njoftuar Prokuroria raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe, ndërsa në njoftimin e 12 prillit u bënë publike dy konkluzione të raportit.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë reaguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”.


“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë e kafeines dhe mos prani të etanolit”.

Ndërkaq, sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhej se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale kishte thënë se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Por pas njoftimit të Prokurorisë Speciale lidhur me raportin për rastin Dehari, kanë ardhur reagimet e para nga Ministria e Drejtësisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministria e Drejtësisë ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit.

Sipas MD-së, nga Prokuroria Speciale janë publikuar vetëm dy nga konkluzionet e raportit, nga pesë sa janë gjithsej.

Ministria e Drejtësisë akuzon Prokurorinë Speciale se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën për rastin Dehari
Lexo po ashtu Ministria e Drejtësisë akuzon Prokurorinë Speciale se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën për rastin Dehari

Përmes një komunikate për media, MD-ja thotë se publikimi i raportit nga Prokuroria Speciale ende pa e pranuar familja raportin “dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!”.

Mes tjerash, thuhet se Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit dhe se “papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme”.

Ndërsa, sipas ministrisë, papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, po tenton “të vrasë” zbardhjen e drejtësisë.

Akuza ndaj Prokurorisë Speciale ka hedhur edhe ministri Sveçla.

Sipas Sveçlës, Specialja ka nxituar për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari.

“Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Ai ka pyetur se “kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”.

Në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, ka thënë se do të angazhohem që përbrenda kompetencave që ka, të kontribuojë pa kursim në sjelljen e drejtësisë për Astritin.

Sveçla: Kush i kërkoi Prokurorisë Speciale që me nxitim të flasë pjesshëm për çështjen e Deharit?
Lexo po ashtu Sveçla: Kush i kërkoi Prokurorisë Speciale që me nxitim të flasë pjesshëm për çështjen e Deharit?

“Si shok i Astritit, s’do të rreshti së kujtuari atë dhe qëllimet tona të përbashkëta, për idealet që s’na vdesin kurrë”, ka përfunduar ai.

Pas akuzave të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, me një reagim ka dal edhe Prokuroria Speciale, me ç’rast theksoi se nuk e ka komentuar raportin dhe se kush ka dyshime ka kërkuar që t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës.

Këtë herë Prokuroria Speciale ka publikuar raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës me pesë konkluzat.

Në reagim thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ia bënë të qartë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe opinionit të gjerë, se nuk kanë komentuar raportin por vetëm se kanë publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

“Prokuroria Speciale siguron opinionin se në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër. Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të Ministres së Drejtësisë, karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik.

Andaj, kushdo që ka ndonjë dyshim mbi këto përfundime, le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës për informacione shtesë”, thuhet në reagim.

Më tej, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thekson se me seriozitet do ta trajtoj rastin në mënyrë të pavarur dhe profesionale deri në zbardhjen e plotë të rastit Dehari.

“Po ashtu, i sigurojmë opinionin se Prokuroria Speciale në asnjë mënyrë nuk do të ndikohet nga askush që pretendon të ndërhyj në këtë rast.

Çfarëdo iniciative për të goditur institucionet e pavarura të drejtësisë është jo e drejtë dhe ka për qëllim që të ulë besimin e qytetarëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet më tej.

Pas akuzave e kundërakuzave ka reaguar të enjten pasdite edhe familja Dehari dhe avokati Tomë Gashi.

Ata para Prokurorisë Speciale në Prishtinë kanë deklaruar se ekspertiza plotësuese e Institutit Zviceran për vdekjen e Astritit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara.

Në një konferencë për medie, avokati Tomë Gashi tha se komunikata e Prokurorisë Speciale e dërguar rreth kësaj ekspertize është e dëmshme për hetimin e vrasjes së Deharit.

Ai tha se këtë ekspertizë nuk e shohin si diçka negative, porse Prokuroria Speciale mund të gjejë se kush ka manipuluar me këto prova.

Babai i Astrit Deharit, Avniu u shpreh se besojnë në çdo përfundim të nxjerrë nga Instituti Zviceran.

Ai tha se kjo ekspertizë shtesë tregon se të gjitha provat e dërguara në Institut janë të papërdorshme dhe të dëmtuara.

Nëna e të ndjerit, Xhevahire Dehari kërkoi të merr dikush përgjegjësi për mos zbardhjen e vdekjes së djalit të saj.

Ajo tha se prokurori aktual nuk është duke bërë as më pak e as më shumë punë se sa prokurori Sylë Hoxha.

Më poshtë mund t’i lexoni pesë konkluzionet e publikuara sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Edhe 697 banka tjera gjermane korrigjojnë gabimin, Kosova do të figuroj si shtet i pavarur

Edhe 697 banka tjera gjermane korrigjojnë gabimin, Kosova do të figuroj si shtet i pavarur

Lajme
Gjenerali amerikan: Serbia duhet ta pranojë të ardhmen pa Kosovën

Gjenerali amerikan: Serbia duhet ta pranojë të ardhmen pa Kosovën

Lajme
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Lajme
Ku mbetën linjat hekurudhore dhe ajrore, të parapara me Marrëveshjen e Uashingtonit?

Ku mbetën linjat hekurudhore dhe ajrore, të parapara me Marrëveshjen e Uashingtonit?

Lajme
Serbia nga e premtja do të ndajë 5 mijë dinarë në muaj për fëmijët serbë në Kosovë

Serbia nga e premtja do të ndajë 5 mijë dinarë në muaj për fëmijët serbë në Kosovë

Lajme
Deputeti Lefter Gështenja nuk ndjehet mirë, largohet me ambulancë nga Kuvendi

Deputeti Lefter Gështenja nuk ndjehet mirë, largohet me ambulancë nga Kuvendi

Lajme
Kalo në kategori