Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në Odën e Kryeqytetit përfaqësues të American Hotel & Lodging Educational Institute dhe të Unionit të Turizmit të Kosovës, me të cilët ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në funksion të zhvillimit të sektorit të turizmit dhe mikpritjes.

Rama theksoi se avancimi i këtij sektori kërkon partneritete të qëndrueshme dhe përmbushje të standardeve bashkëkohore evropiane, duke vënë në qendër cilësinë e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm në kryeqytet.


“Zhvillimi i turizmit dhe mikpritjes kërkon partneritete të forta dhe standarde të larta”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, bashkëpunimi me institucione dhe organizata profesionale ndërkombëtare paraqet një mundësi të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve vendore dhe përmirësimin e ofertës turistike në Prishtinë.

“Biseduam për avancimin e standardeve në sektorin e turizmit dhe mikpritjes, në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve në Prishtinë”, u shpreh ai.

Kryetari i Prishtinës ritheksoi se Kryeqyteti mbetet i përkushtuar për bashkëpunime që kontribuojnë në forcimin e ekonomisë lokale dhe në promovimin e Prishtinës si destinacion turistik konkurrues. /Telegrafi/