Rama për Bukoshin: Mijëra familje shqiptare mbijetuan në vitet ’90 falë ndihmave dhe subvencioneve të qeverisë së tij në ekzil

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se në mbledhjen komemorative të organizuar nën patronatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkujtuan me respekt dhe mirënjohje jetën dhe veprën e Dr. Bujar Bukoshit – ish-Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil - simbol i përkushtimit institucional.
Rama thotë se "Mijëra familje shqiptare mbijetuan në vitet ’90 falë ndihmave dhe subvencioneve të qeverisë së tij në ekzil".
"Vetëm ky kontribut, në mbrojtjen e jetës dhe qëndrueshmërisë së shqiptarëve brenda Kosovës, mjafton për një mirënjohje të thellë kombëtare. Dr. Bukoshi ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje – një moment vendimtar që çoi në ndërhyrjen e NATO-s, në çlirimin e vendit dhe në kthesën historike për Kosovën. Mbi të gjitha ai do të mbetet shembull i shërbimit me dinjitet – si mjek, si kryeministër, si patriot që kontribuoi në organizimin civil, administrativ dhe ushtarak të Republikës", ka theksuar ai.
Ai mes tjerash ka shkruar se "do ta kujtojmë përherë si njeriun që na mësoi se shërbimi është forma më e lartë e atdhedashurisë"./Telegrafi/




















































