Qyteti i Shkupit ndan subvencione për kondicionerë inverter

Pas dy vitesh, banorët e Shkupit po marrin subvencione për kondicionerë inverter, pasi mbrëmë kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski nënshkroi vendimet për pagesën e subvencioneve, sipas Thirrjes publike në të cilën aplikuan banorët e Qytetit të Shkupit.
“Mbrëmë vonë nënshkrova vendimet për pagesën e subvencioneve sipas Thirrjes Publike në të cilën aplikuan banorët e Qytetit të Shkupit. Me këtë masë, ne mbështesim amvisëritë që kanë investuar në blerjen e kondicionerëve inverter me efikasitet të lartë në vitin 2025, të cilët do të sjellin kosto më të ulëta, efikasitet më të lartë energjetik dhe kushte dukshëm më të mira jetese. Duke investuar në kondicionerë, po bëjmë një hap përpara drejt një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm. Me konsum të reduktuar të energjisë dhe emetime më të ulëta, ato drejtpërdrejt kontribuojnë në mbrojtjen e ajrit dhe krijimin e një Shkupi më ekologjik dhe të qëndrueshëm”, njoftoi mbrëmë në Fejsbuk, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Qyteti i Shkupit, siç shkroi Gjorgjievski, do të kompensojë shpenzimet e furnizimit të pajisjes në shumën deri në 20.000 denarë për amvisëri, në shumë neto, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale do të mbulohet plotësisht nga Qyteti.
“Në periudhën që vijon do të vazhdojmë me thirrje të reja publike për subvencione, me qëllim që ta bëjmë jetën e përditshme të qytetarëve tanë më të lehtë dhe qytetin tonë një vend më të mirë për jetesë”, theksoi Gjorgjievski.


















































