Aktualisht në Kosovë pasaporta dhe patentë shoferë mund të marrin vetëm qytetarët të cilët kanë nevojë emergjente për këto dokumente.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në Qendrën e Regjistrimit Civil ka mungesë të  materialit për dokumentet identifikuese, siç janë pasaportat dhe patentë shoferët.


Në një përgjigje për Telegrafin, Rrokasna Qarri, Drejtoreshë e Zyrës për Komunikim me Publikun në  MPB, tha se po përpiqen që të furnizojnë të gjithë me këto dokumente, mirëpo rastet urgjente janë primare.

“MPB është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente”, tha ajo.

Tutje Qarri tha se kriza globale dhe pandemia COVID-19, kanë ndikuar që të shkaktohen mungesa për pajisje me material.

“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19", deklaroi Qarri për Telegrafin./Telegrafi/