Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se ky vendim përfshin edhe punëtorët që nuk kanë përfunduar një vit të plotë pune.


Sipas tij, ata do të përfitojnë një pagesë të pjesshme, në përpjesëtim me muajt që kanë qenë të angazhuar në punë.

“Për personat që nuk i kanë mbushur 12 muaj të plotë të punës, do t’u takojë një pagë e pjesshme në raport me muajt që kanë punuar”, ka deklaruar Murati.

Ai gjithashtu sqaroi se gratë të cilat janë në pushim të lehonisë ose kanë qenë në pushim të lehonisë, muajt e kaluar në këtë pushim të njihen sikur të kenë punuar me orar të plotë.

"Njëkohësisht jemi përkujdesur që për gratë lehona të cilat janë në pushim të lehonisë apo kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12 mujore, muajt e kaluar në pushimin e lehonisë pra të njihen sikurse muaj që të kenë punuar me orar të plotë, në mënyrë që të mos përjashtohen apo mos të kalojnë tek paga e pjesshme por ta marrin pagën e 13 të plotë”, tha ai.

Murati shtoi se me këtë vendim synohet krijimi i një standardi të ri në vlerësimin e kontributit të secilit punëtor në sektorin publik, duke siguruar trajtim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë të punësuarit. /Telegrafi/