Qelaj: Raporti për lirinë e mediave, rezultat i qasjes politike ndaj mediave

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se raporti ‘Reporterët pa Kufij’ ku Kosova renditet e 99-ta në listën e 180 shteteve për lirinë e shtypit, është si rezultat i qasjes politike ndaj mediave.
Siç thotë Qelaj, fakti se viteve të fundit, pushteti qeverisës ka pasur tendencë të sulmojë gjithçka që është jashtë pushtetit ekzekutiv, ka ndikuar edhe tek mediat.
“Sulmet ndaj gazetarëve dhe mediumeve, tendenca me ndryshu ligje që cenojnë institucionet e pavarura, gjuha linçuese me gazetarë dhe mediume të caktuara, ndoshta janë pasojë për me dalë një raport i kësaj natyre", tha Qelaj në Kallxo Përnime.
Ai thotë se nëse nuk merren masa për të ndryshuar qasjen politike të institucioneve që kanë peshë dhe kanë fuqi në Kosovë, atëherë gjendja do të përkeqësohet ku sipas tij, gazetarët do të ndihen të rrezikuar apo kërcënuar të thonë të vërtetën.
Ai ka folur edhe për Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave, për çka thotë se ‘nëse ky Ligj do të dërgohej në Kushtetuese, kjo do të ishte fatale’.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e datës 23.04.2025 ka shfuqizuar Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili ishte kontestuar në këtë Gjykatë nga disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Kushtetuesja ka gjetur se disa nga nenet e këtij Ligji janë në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Ligji për KPM-në ishte miratuar më 11.07.2024 në Kuvendin e Kosovës, pa pjesëmarrjen në votim të partive opozitare.
Gjykata Kushtetuese ka gjetur se nenet që nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve, kompetencat e KPM-së dhe disa pika nga neni që ka të bëjë me gjobat dhe sanksionet.
Ndërsa, Kosova është renditur e 99-ta nga 180 shtete në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa kufij”.
Kjo shënon rënie prej 24 vendesh nga viti 2024, kur renditej në pozitën e 75-të, ndërsa krahasuar me vitin 2023 Kosova ka rënie prej 43 pozitash.
Kjo renditje është renditja më e ulët e Kosovës në 15 vjetët e fundit. Në Indeks Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-ta, Mali i Zi i 37-ti, Maqedonia e Veriut e 42-ta, Bosnjë dhe Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta. Pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit sipas Raportit të “Reporterët pa Kufij” janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda. /Kallxo.com/


































