Një video e një vrasjeje përpara një klubi në Novo Mesto të Sllovenisë është shfaqur në rrjetet sociale.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet vijnë pas një ngjarjeje të ndodhur në natën nga e premtja në të shtunën, kur një burrë u rrah brutalisht para një restoranti në Novo Mesto dhe më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra.


Policia ka arrestuar një të dyshuar 20-vjeçar dhe është paralajmëruar një protestë për sot.

Dhe sipas informacioneve jozyrtare, ngjarjet filluan kur i riu e telefonoi të atin nga një lokal, duke pretenduar se po kërcënohej nga një grup njerëzish dhe duke i kërkuar të vinte ta merrte.

Babai, një pronar restoranti i njohur, mbërriti menjëherë.

Sapo doli nga makina, ai u sulmua nga një grup burrash, që dyshohet se ishin anëtarë të komunitetit rom, të cilët i shkaktuan lëndime të rënda në kokë.

Shërbimet e urgjencës arritën ta “ringjallnin” në vendngjarje, por gjendja e tij ishte jashtëzakonisht kritike dhe ai u dërgua në spital.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, burri vdiq të shtunën pak para orës 22:00.

Mediat raportojnë se burri i vrarë ishte një 48-vjeçar.

Ndërkohë si pasojë, ministrja e Drejtësisë, Andreja Katiq dhe ministri i Brendshëm Boshtjan Poklukar dhanë dorëheqjen të dielën.

"Duke dhënë dorëheqjen, dua të kontribuoj në qetësimin e situatës, të gjithë duhet të mendojnë për përgjegjësinë e tyre", ka thënë Katiq në një konferencë urgjente për shtyp, ndërsa ministri i brendshëm shtoi se ai "merr përgjegjësi objektive".

Kryeministri slloven Robert Golob foli gjithashtu në konferencë, duke njoftuar ndryshime urgjente ligjore në lidhje me çështjet dhe sigurinë e romëve.

Policia njoftoi se është arrestuar një i dyshuar 21-vjeçar.

E Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ndër të tjera, vendosi të dërgojë forca shtesë policore në Novo Mesto, dhe nëse është e nevojshme, të dërgojë një njësi speciale policore.

Qytetarët janë mbledhur në qendër të Novo Mestos që nga mëngjesi për të ndezur qirinj për banorin e ndjerë vendas. /Telegrafi/