“Qarkullimi i bizneseve ka shënuar rekord”, “tregoni ekonomistit se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit” - përplasje verbale mes Muratit dhe Bajramit

Qarkullimi i bizneseve në gjashtë muaj të vitit 2025 ka përplasur verbalisht ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati dhe deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Ministri Murati në një postim në Facebook shkruan se qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 10.7 miliardë eurove.
Sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro.
“Si Qeveri jemi përkujdesur që të rrisim mbështetjen për bizneset duke përmirësuar qasjen në financa përmes rritjes së kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore; subvencionuar punësimin e të rinjve përmes Superpuna; subvencionuar kreditë investive; rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë, rritur fuqinë blerëse të familjeve përmes rritjes së pagave, pensioneve, e shtesave për fëmijë dhe paguar me kohë dhe pa vonesa faturat e detyrime ndaj bizneseve”, shkruan ai.
Sipas tij, këto shifra zyrtare janë dëshmia më e mirë që demanton pretendimet e pavërteta të cilat siç tha ai shpesh “bjen t’i dëgjojmë nga disa portale e studio televizive”.
E i menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Deputetja në një postim në Facebook shkruan se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike.
“Tregoni ekonomistit - interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre.
Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë. Nëse nuk pajtohet me faktet dhe konceptet, unë jam gati për përballje veç le ta cakton kohën dhe vendin”, shkruan ajo.
Pas këtij reagimi të deputetes Bajrami, ka reaguar sërish ministri në detyrë.
Murati shkruan se ekonomistët e LDK-së nëse duan të ofrojnë kundëragumentin e inflacionit, do duhej të kishin njohuritë e mjaftueshme që të bëjnë përllogaritjen e shifrave të përshtatura për inflacion (adjusted for inflation).
“Por, nuk e bëjnë asnjëherë - ose sepse nuk dinë ta bëjnë llogaritjen, ose dinë ama atëherë do ta humbnin argumentin se do u duhej ta pranonin që edhe kur hiqet inflacioni del se ka rritje të theksuar - e kundërta e asaj që ata vazhdimisht proklamojnë rrejshëm”, shkruan ai.
Sipas tij, kur jemi te rritja e çmimeve, rritja më e madhe ka ndodhur tek produktet bazike ushqimore, një pjesë si rezultat i rritjes globale të çmimeve, por pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rezultat i pangopshmërisë së supermarketeve - gjë që dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre.
“Dhe ishte pikërisht LDK-ja me ekonomistët e saj, që sot derdhin lot krokodili për inflacionin, të cilët e kundërshtuan Ligjin për Çmime Tavan, për të mundësuar supermarketet të rrisnin çmimet në kurriz të qytetarëve”, shkruan ai. /Telegrafi/







































