Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet në erë. E gjej veten të hutuar me arsye, sepse duhet të jetë e qartë që konflikti deri tani ka paraqitur një dështim të turpshëm për presidentin Vladimir Putin.
I paaftë për të arritur objektivin e nënshtrimit të fqinjit të tij shumë më të vogël, ai ka shkaktuar vuajtje të mëdha në vendin e tij, ka shkatërruar ekonominë e Rusisë dhe ka minuar prestigjin e ndikimin strategjik rus në mbarë botën.
Mos të harrojmë se ajo që ishte planifikuar si një “operacion special” treditor, është kthyer në një makth trevjeçar. Rusia ka arritur vetëm fitime të kufizuara territoriale dhe nuk ka qenë e aftë të pushtojë as të gjithë rajonin e Donjeckut në lindje. Ofensiva madhore e vitit të kaluar për të krijuar një tampon-zonë në Harkiv, për të mbrojtur territorin rus, arriti të merrte vetëm disa kilometra përgjatë kufirit. Sulmet me raketa, të cilat synonin të zhytnin Ukrainën në të ftohtit dhe errësirën pothuajse të vazhdueshme, kanë dështuar qartësisht.
Ndërkohë, Putini ka humbur kontrollin mbi pjesë të rajonit të Kurskut, nga forcat ukrainase, në pushtimin e parë të territorit rus që nga Lufta e Dytë Botërore, duke mos arritur ta rimarrë atë edhe pasi ka rekrutuar Korenë e Veriut si aleate në konflikt. Mbrojtjet ajrore të shumëpërfolura të Putinit janë treguar të paafta për të ndalur sulmet ukrainase ndaj bazave ajrore, depozitave të naftës dhe magazinave të municioneve brenda Rusisë. Madje, edhe kryeqyteti, Moska, është depërtuar nga dronë shpërthyes të prodhuar nga Ukraina. Marina ruse është poshtëruar, duke humbur kontrollin e Detit të Zi dhe duke mos arritur të ndalojë eksportet e drithërave të Ukrainës. Më shumë se 15 anije të saj janë fundosur nga dronët detarë; shumë të tjera janë dëmtuar, dhe pjesa tjetër e flotës është detyruar të tërhiqet nga gadishulli i Krimesë dhe brigjet e Ukrainës.
Kostoja njerëzore e fushatës së ngadaltë të Putinit ka qenë gjithashtu e jashtëzakonshme. Ukraina vlerëson se forcat ruse pësuan 427 mijë humbje vetëm gjatë vitit 2024. Instituti për Studimin e Luftës, një institut amerikan, vlerëson se gjatë të njëjtës periudhë Rusia pushtoi 4 168 kilometra katrorë; kjo do të thotë që çdo kilometër katror i pushtuar ka kushtuar më shumë se 100 viktima.
Shpenzimet financiare për këto humbje, me gjashtë për qind të të gjithë buxhetit federal të premtuar për të mbështetur të plagosurit dhe për të kompensuar familjet e të vrarëve, janë vetëm një ndër faktorët që kontribuojnë në ekonominë gjithnjë e më të brishtë të Rusisë. Normat e interesit kanë arritur në 23 për qind, me inflacionin në nëntë për qind, të nxitur nga një ekonomi lufte e paqëndrueshme dhe e dëmtuar rëndë nga sanksionet globale. Sistemi financiar rus mund të mos jetë në prag të kolapsit, por pavarësisht se sa shumë Kremlini e promovon të ardhmen e tij, stagnimi afatgjatë ekonomik duket i pashmangshëm edhe nëse konflikti përfundon në vitin 2025.
Në rajone të tjera, lufta ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e Rusisë në Lindjen e Mesme. Ndërhyrja e Putinit në luftën civile në Siri në vitin 2015, e mbajti Assadin në pushtet. Por, zvogëlimi i forcave të tij atje për të mbështetur konfliktin e përgjakshëm në Ukrainë, së bashku me tërheqjen në vitin 2023 të forcës mercenare Wagner – një tjetër viktimë e luftës – bëri që ai të mos ishte në gjendje të shpëtonte diktatorin në fund të vitit të kaluar. Pavarësisht nëse Moska i ruan apo jo bazat e saj në Siri, reputacioni i saj si një aleat i fortë dhe i besueshëm, krahasuar me Perëndimin e lëkundshëm, do të jetë dëmtuar rëndë. Për më tepër, dobësia e Rusisë në Siri ka shkaktuar dëme, ndoshta të pariparueshme, mbi bashkëpunëtorin kryesor rajonal dhe furnizuesin e saj të armëve, Iranin. Nëse Siria kthehet në një bazë mbështetëse për xhihadistët që synojnë terrorizmin brenda Rusisë – një mundësi e qartë – kjo mund të jetë katastrofike.
Në kundërshtim me ëndrrën e Putinit për të ringjallur një perandori ruse, ai ka rrezikuar ta kthejë vendin në varësi nga Kina. Sanksionet perëndimore e kanë bërë tashmë Rusinë më të varur se kurrë më parë nga Kina për mbështetje ekonomike dhe tregti. Ndërsa situata ekonomike e Moskës përkeqësohet, pabarazia tregtare do të thellohet. Rusia gjithashtu varet nga furnizimet kineze me teknologji me përdorim të dyfishtë, e cila është thelbësore për prodhimin e saj të luftës. Për më tepër, Koreja e Veriut nuk do të kishte dërguar 10 mijë trupa për të ndihmuar në luftën e Putinit, pa miratimin e Xi Jinpingut. Po vendosen kushtet për nënshtrimin e Moskës ndaj Pekinit.
Pavarësisht vështirësive të Rusisë, nuk duhet të bëjmë gabimin të besojmë se Ukraina dhe Perëndimi janë pranë fitores në këtë konflikt. Fatkeqësisht, mundësia për këtë u humb të paktën dy vjet më parë nga një kombinim i mungesës së vendosmërisë në Evropë dhe frikës nga përshkallëzimi në ShBA, që i mohuan Ukrainës armët e nevojshme për të dëbuar Rusinë. Ukraina nuk ka qenë në gjendje të ndalë përparimin e vazhdueshëm rus dhe nuk do të mund ta bëjë këtë pa mbështetje të konsiderueshme të shtuar, e cila është pak e mundshme. Aleatët e Kievit janë bërë gjithnjë e më të lodhur nga lufta – pas kundërofensivës së dështuar të vitit 2023 – dhe shumë janë të pajtuar me një marrëveshje paqeje. Komentet e fundit të presidentit Zelensky sugjerojnë se edhe ai tani është i gatshëm për këtë, edhe nëse kjo nënkupton koncesione territoriale.
Putini po ndjek një qasje të ashpër, duke refuzuar një propozim të raportuar nga presidenti i zgjedhur i ShBA-së, i cili përfshin një vonesë 20-vjeçare për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, garanci sigurie perëndimore dhe një tampon-zonë të administruar nga evropianët. Qëndrimi i tij mund të zbutet në varësi të asaj se si e sheh të ardhmen e ekonomisë ruse dhe sa i shqetësuar është për një Donald Trump të paparashikueshëm në Shtëpinë e Bardhë.
Për momentin, duhet të heqim idenë se Putini po “fiton” luftën. Ajo ka qenë një dështim kolosal. Tragjedia është se Perëndimi mund të jetë gati të shpërblejë Putinin me mjaftueshëm territor që ai të pretendojë të kundërtën, duke e kthyer disfatën në fitore. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsh-fituesi i Big Brother qe inicoi idenë e Gjestit në BBVA tregon paraskenat e transferimit: Ishte i mërzitur, e gjetëm në hotel të dëshpëruar
Eleminimi i Gjestit nga Big Brother VIP Kosova dhe thirrjet për protesta, reagon edhe Alaudin Hamiti
Befasi: Gjesti "aderon" në Big Brother VIP Albania - një ditë pas eleminimit nga BBVK
“Më është bërë diçka që s’është dashur të më bëhet”, Gjesti thumbon produksionin e BBVK nga kolltuku i Big Brother VIP Albania
Zinedine Zidane po i kthehet futbollit në mënyrë të madhe, më në fund do të marrë punën që ka pritur gjithmonë
Policia me aksion në veri të Mitrovicës, mbyllet zyra paralele tatimore e Serbisë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Eleminimi i Gjestit nga Big Brother VIP Kosova dhe thirrjet për protesta, reagon edhe Alaudin Hamiti
"Drama, lot e komplikime", publikohet videoja e operimit të Edona James për të zvogëluar gjoksin
Pse Trump është kaq i interesuar për ishullin më të madh në botë?
Të shtëna armësh në Baden-Wurttemberg të Gjermanisë, dy të vrarë - policia në kërkim të dyshuarit
Dritë në fund të tunelit për Barcelonën në lidhje me Dani Olmon - ka gjasa që ai të luajë në finale të Superkupës së Spanjës
Trump sërish flet për prokurorin Jack Smith: Është i çmendur, po kthehet në Hagë