“Puna e madhe, stabiliteti dhe ambicia për diçka më shumë”, Ardian Nuhiu flet gjerë e gjatë për sezonin e Gjilanit
Trajneri i Gjilanit, Adrian Nuhiu ka folur për Telegrafin rreth sezonit të fundit ku skuadra e tij përfundoi e katërta me 51 pikë, duke iu afruar Evropës, por pa arritur ta siguronte kalimin në garat ndërkombëtare.
Në një intervistë të gjatë e reflektuese, Nuhiu ka ndarë mendimet e tij për progresin e ekipit, vështirësitë e hasura dhe filozofinë e tij për ndërtimin e një grupi të qëndrueshëm dhe fitues. Ai ka përmendur edhe zhgënjimet nga disa ndeshje të caktuara dhe mënyrën sesi skuadra ka reaguar, duke treguar karakter dhe përkushtim.
Ai falënderoi gazetarët për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar
“Në radhë të parë ju përshëndes dhe ju falënderoj për korrektësinë dhe profesionalizmin të cilin e keni shfaqur gjatë gjithë vitit në mbulimin tuaj medial”, ka thënë fillimisht Nuhiu për Telegrafin.
Nuhiu tha se skuadra është në rrugën e duhur, duke u përmirësuar shumë në gjysmën e dytë të sezonit dhe duke krijuar një grup të qëndrueshëm me mentalitet fitues.
“Nga ajo e cila është diskutuar në fillimin e këtij projekti besoj se skuadra është ne rrugën e duhur. Dëshira dhe mënyra se sa u përmirësua skuadra në gjysmë stinorin e dytë normalisht që donim që ne vitin e parë të marrim diçka më shumë nga ajo që kishim paraparë. Kemi kërkuar që të ndërtohet skuadër stabile dhe të ketë vazhdimësi, të punohet në mënyrë profesionale, të krijohet mentaliteti fitues te grupi dhe kjo e do kohën e vet”.
“Personalisht, por dhe të gjithë në klub e ndjejnë se është bërë punë e madhe nga të gjithë, stabiliteti financiar falë presidencës, mënyra e menaxhimit nga drejtuesit, gjithashtu dhe puna e stafit dhe futbollistëve në aspektin profesional është përmirësuar ndjeshëm gjithçka te skuadra jonë”.
“Gjithçka funksionon në mënyrë profesionale, çdonjëri është përgjegjës për punën që bën, besoj se kjo është mënyra se si duhet të funksionoj një klub profesionist. Asnjëherë nuk do të kënaqem me suksesin e arritur, gjithmonë do të kërkoj edhe më shumë nga skuadra”.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, në disa ndeshje ekipi është dëmtuar nga faktorë të jashtëm, çka ia pamundësoi të arrijë rezultate edhe më të mira.
“Nuk do ta them për të justifikuar veten apo ekipin, por vërtet është e dhimbshme se si në disa ndeshje është dhënë shumë mund dhe sakrificë nga futbollistët për ta fituar takimin, por ndikuan faktor tjerë dhe na pamundësuan që sot të kemi disa pikë me tepër. E them këtë sepse edhe vlerësimi nga ekspertët e analizave konfirmuan për dëmtimin që i është bërë skuadrës tonë në disa ndeshje”.
46-vjeçari nga Shkupi veçoi humbjen kundër Vëllaznimit si goditje të rëndë, por theksoi reagimin e lojtarëve.
“Ndeshja kundër Vëllaznimit ishte vërtet goditje për ne, pavarësisht që futbollistët u munduan shumë, krijuan shumë, por ndeshje të tilla duhet të gjesh rrugën ta fitosh, por nuk arritëm. E rëndësishme ishte që te zgjonim skuadrën nga ajo goditje dhe të vazhdojmë në rrugën e vetme qe na ngeli kampionati. Futbollistët treguan karakter dhe reaguan në kampionat duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje që të arrijmë sa më lart në kampionat”, nënvizoi shkupjani.
Nuhiu tha se skuadra ka përparuar shumë, si individë dhe si grup, dhe theksoi rëndësinë e kohës dhe filozofisë për ndërtimin e një ekipi të qëndrueshëm.
“Personalisht vlerësoj që të gjithë futbollistët janë rritur shumë këtë vit, si në aspektin individual por edhe si grup. Vështirësitë që kemi pasur në kampionat na kanë rritur, na kanë zhvilluar në personalitet dhe karakter të fortë. Ne si staf dhe futbollistët me eksperiencë kishim obligim ndaj disa futbollistëve më të rinj që të forcojnë identitetin e tyre, të rrisnin respektin për veten dhe të shtojnë vetëbesimin”.
“Faktori kohë shumë i rëndësishëm në futboll, mënyra e punës, komponimi i skuadrës, ideja dhe filozofia e lojës e donë kohën e vet. Pjesën e parë të kampionatit ka qenë e pritshme të kemi luhatje por shumë e rëndësishme që nga ndeshja në ndeshje skuadra po përmirësohej, i dukshëm ishte progresi i ekipit. Pjesa e dytë e kampionatit vërtet ishte shumë e mirë nga ekipi jonë”.
Në fund, Nuhiu tha se prioritet është ruajtja e këtij grupi dhe afrimi i disa futbollistëve të rinj për të forcuar konkurrencën.
“Primare është të ruajmë grupin, padiskutim që këtij grupi kualitativ do të mundohemi që t’i sjellim disa futbollistë cilësor, me idenë që të rrisim kualitetin dhe konkurrencën në ekip”, përfundoi trajneri i Gjilanit.
Kjo intervistë ofron një pasqyrë të qartë të punës dhe ambicieve të Nuhiut, ndërsa Gjilani përgatitet për një sezon të ri ku synimet janë të mëdha. /Telegrafi/


































