LAJMI I FUNDIT:

Pse nuk ka agjitatorë liberalë në qytet?

Pse nuk ka agjitatorë liberalë në qytet?

Klementin Mile

Sot nuk gjen thuajse fare agjitatorë liberalë në vendin tonë. Por gjen, në numër të konsiderueshëm, agjitatorë komunistë dhe konservatorë. Përtej simpative dhe antipative për këto pozicione ideologjike, si mund të shpjegohet kjo situatë? A lidhet mungesa e agjitatorëve liberalë me ndonjë karakteristikë të fshehtë të natyrës njerëzore (ose kulturës së shqiptarëve), e cila thotë që liria është një gjë që duhet patur frikë? A mos vetë liberalizmi, ndryshe nga komunizmi dhe konservatorizmi, është një doktrinë aspak tërheqëse për popullin?


Rrugën për te përgjigjet e këtyre pyetjeve e çel vetë termi “agjitator”. Shqiptarëve që kanë jetuar në komunizëm me siguri u kujtohet neni 55 i Kodit Penal të regjimit komunist, ku flitej për “agjitacionin dhe propagandën e armikut”. Sipas këtij neni, propagandë dhe agjitacion quhej tentativa për të përmbysur ose minimizuar pushtetin e popullit. Edhe në gjuhën latine (agitationem, agitare) agjitacioni ka kuptimin e lëvizjes së gjërave, duke sjellë ndryshim te gjendja ekzistuese.

Agjitatori, pra, është një veprues që prodhon ngjarje, e cila ka potencialin ta ndryshojë gjendjen. Si i tillë, agjitatori është i pakënaquri me gjendjen ekzistuese, i humburi prej saj, kundërshtari i autoritetit dhe politikave shtetërore, protestuesi i përhershëm. Agjitatori është i njëkohshëm me ngjarjen: ai e prodhon ngjarjen dhe prodhohet prej saj. Agjitatori përkufizohet si kundër gjendjes e, në këtë kuptim, kundër shtetit dhe politikave shtetërore (state, stato i referohen si gjendjes ashtu dhe shtetit).

Këto tipare përkufizuese të agjitatorit njerëzit e kanë të vështirë t’i gjejnë te liberali. Liberali jo vetëm që nuk shihet si i pakënaqur me gjendjen ekzistuese, por shihet madje si përfituesi kryesor prej kësaj gjendjeje. Jo vetëm nuk shihet si prodhues i ngjarjes, por konsiderohet gardian i gjendjes. Jo vetëm nuk duket të jetë kundër shtetit, por shihet si i gatshëm të sakrifikojë shumëçka për vijimin e shtetit.

Ka arsye historike pse liberali portretizohet si e kundërta e agjitatorit. Pavarësisht se liberalizmi lindi si lëvizje proteste ndaj establishmentit konservator të aristokracisë dhe fesë, shumë shpejt liberalët morën pushtetin dhe u bënë ata vetë establishmenti. Për shembull ende sot flitet për sundimin e demokracisë liberale në vendet më të zhvilluara të botës. Në ato vende është normale që liberalët të konsiderohen si “ata që kanë pushtetin” dhe gjithë të tjerët, ndër ta komunistët dhe konservatorët, si agjitatorë të pakënaqur me gjendjen ekzistuese të institucioneve dhe politikave.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri nuk mund thuhet se liberalët kanë qenë ndonjëherë në pushtet apo janë aktualisht. Liberalët, në fakt, janë kontingjent i përshtatshëm për t’u bërë agjitatorë në vendin tonë. Por ama këtu hyn në veprim një iluzion i përhapur gjerësisht. Ai sipas të cilit në këtë vend janë bërë politika liberale dhe neoliberale aq shumë, saqë tani ka ardhur koha e ndreqjes së dëmeve të sjella prej tyre. Por e vërteta është se në Shqipëri nuk janë bërë as politika liberale, as komuniste, as konservatore. Që kjo të ndodhte do duhej që votat në zgjedhje të fitoheshin ideologjikisht prej partive.

Përfundimisht mund të thuhet se Shqipëria është terren ideal për zhvillimin e agjitacionit liberal – për teza të guximshme dhe të mbrojtura fuqishëm për lirinë ekonomike, liritë sociale, privatizimin, individualizmin etj.; por ky agjitacion nuk mund të ngjizet për sa kohë vijon iluzioni se liberalët janë në pushtet – edhe pse jo si parti, sidoqoftë përmes politikave liberale dhe neoliberale. /mapo.al/