LAJMI I FUNDIT:

Pse në shoqërinë tonë nuk ka planifikim familjar?

Familja është grup shoqëror pjesëtarët e të cilit janë të lidhur nga origjina, martesa, adoptimi, e që jetojnë së bashku, dhe përkujdesen për njëri-tjetrin, ndihmojnë njëri-tjetrin në të gjitha format përfshirë edhe atë ekonomike.
Sociologë e antropologë, institucionit të familjes i kanë kushtuar vëmendje të madhe e po ashtu ky institucion ka marrë përkufizime të ndryshme. Madje, disa e kanë cilësuar atë si “institucioni më i vjetër shoqëror që asnjëherë nuk vjetrohet”, etj.

Institucioni i familjes është njësi shpirtërore, ku gatuhet shpirti i pjesëtarëve të ardhshëm të shoqërisë, ku jepen dhe ndërtohen vlerat. Padyshim se zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha qe prekën gjithë botën dhe shoqëritë reflektuan edhe në institucionin e familjes. Planifikimi i familjes është një metodë e cila u mundëson çifteve të planifikojnë kur dhe sa fëmijë do t’i kenë. Me planifikim familjar nuk do të thotë të kufizohet numri i fëmijëve, por të planifikohet se kur, dhe sa fëmijë do të kesh gjatë jetës.


Planifikimi i familjes luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e nënës dhe fëmijëve, për statusin socio-ekonomik si dhe për mirëqenien e të gjithë familjes. Në shoqërinë tonë ku kryesisht ka dominuar familja njëgjakëshe e më shumë ajo patriarkale, shumë metoda si ajo e planifikimit familjar as që është diskutuar. Femra gjatë periudhës së fertilitetit ka lindur aq sa ka mundur, dhe nuk është menduar t’i ndalojë lindjet.

Mirëpo, me ndryshimet e shumta në të gjitha sferat e jetës, pësoi dhe po pëson ndryshime edhe institucioni i familjes. Shoqëria jonë thuajse e kaloi kohën kur kryefamiljari me një fjalë të vetme rregullonte dhe mbante në kontroll të gjithë familjen. Autoriteti , thuajse absolut i kryefamiljar u zbe pësoi dhe po pëson rënie të vazhdueshme. Femra e shoqërisë sonë, gjithnjë e më tepër po arsimohet, punësohet e natyrisht se po pavarësohet edhe ekonomikisht.

Në historinë dhe përjetimet tona, femra për shumë arsye ka qen viktimë dhe është identifikuar me objekt për kryerjen e punëve shtëpiake, lindjen dhe rritjen e fëmijëve, dëgjueshmëri ndaj burrit dhe anëtarëve të tjerë të familjes etj., kurse sot ndryshoi dhe po ndryshon ai mentalitet që ishte shndërruar në traditë e të cilën e theu viti 1999.

Në përgjithësi femra e shoqërisë sonë, tanimë ka ambicie për shkollim karrierë, e udhëtime, ajo tanimë nuk e sheh vetën e saj siç ka qenë nëna, gjyshja e paraardhëset e saj, por e sheh veten si faktorë i rëndësishëm, ndikuese dhe vendimmarrëse për shoqërinë.

Në mënyrë qe femrës kosovare mos t’i mbetet ta zgjedhë shtyrjen ose ikjen nga martesa për t’i realizuar ambiciet e për të pasur karrierë, është i nevojshëm planifikimi familjar. Bashkëshortët e sidomos gratë që kanë fëmijë të paplanifikuar në fillim nuk kanë mundësi për t`a ndjekur arsimimin e lartë që do të ishte i dobishëm për arritjen e tyre të karrierës. Mirëpo me planifikimin familjar të matur, një nënë do të jetë në gjendje ta di periudhën kur ajo është më e lirë dhe më e gatshme t’i përkushtohet përkujdesjes ndaj fëmijës.

Nëse një çift dëshiron një fëmijë dy, tre apo dhjetë, me planifikim të vetëdijshëm familjar ata do të krijojnë familjen të cilën dëshirojnë, duke i lënë vetës hapësirë për shkollim e karrierë, e po ashtu duke i liruar fëmijët nga një presion social që do t’i përcillte gjatë gjithë jetës nëse vinë “gabimisht”.

Sipas studimeve, ka një dallim të madh në mes te të pasurit fëmijë më pak se dy vjet veç e veç dhe të kesh fëmijë më shumë se pesë vjet larg. Kjo është një mënyrë e mirë edhe për të qenë në gjendje që të vënë në fokus çfarë duan prindërit për fëmijët e tyre të tilla si shkollim e karrierën e tyre. Mos planifikimi i familjes, ka reperkusione jo vetëm sociale e ekonomike, por edhe politike e, para së gjithash, do të thosha morale e etnopsikologjike.

Pothuajse në çdo familje moderne, ta quajmë kështu familjen e sotme, çfarë është në përgjithësi në shumë vende të botës, e që shumë më pak është e pranishme te ne, planifikohet familja, e cila llogarit: sa shpenzime mesatare bëhen p.sh., për një fëmijë deri në moshën 7-vjeçare, sa kushton shkollimi cilësor për të, sa e sa para duhen për të e për vetë prindërit e saj. Por, fatkeqësisht, sot nuk kemi asnjë studim për kushtet tona, e që konsiderohet deri-diku pengesë edhe për planifikimin familjar.

Planifikimi familjar parandalon po ashtu shtatzënitë e padëshiruara duke parandaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë abortet.

Jemi të vedishëm se shoqëria jonë ka probleme shoqërore të ndryshme të cilat shkaktohen nga kushtet shoqërore, ose që gjenerojnë konsekuenca që prekin ose dëmtojnë indin dhe sistemin shoqëror. Por, gjithashtu është koha që në shoqërinë tonë të ketë ndërhyrje sociologjike dhe kritikë social, të cilët kritikojnë hapur gabimet e bëra në jetën shoqërore, të cilët duhet të jenë emocionalisht të pavarur, të çliruar nga intimiteti dhe përzemërsia e anëtarësisë së vet, natyrisht, ata duhet të jenë të pajisur me kapacitete zbuluese dhe me pavarësinë radikale.

(Autorja është hulumtuese dhe analiste sociale)