Përplasje të ashpra në Kuvendin e Kosovës ka shkaktuar Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, tha se ky projektligj i shkon përshtati vetëm oligarkëve, derisa i bëri thirrje LVV-së që të sjellë ligjin për tregti të brendshme, që sipas tij e ndalon haraçin ndaj bizneseve të vogla.


“Sjellne ligjin për tregti të brendshme. Ai është ligji që ia ndalon harraqin secilit prodhues, distributues, importues. Ndalni haraçin atyre dhe çmimet do të zbriten”, tha ai.

Por atij i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se këta operatorë ekonomikë që po u vendosin harraq bizneseve të vogla janë financues dhe donatorë kryesorë të PDK-së.

“Qata operatorë ekonomikë që po u vendosin harraq bizneseve të vogla janë financues dhe donatorë kryesorë të PDK-së. A mundesh me pru atë projektligj? Votën time e ki”, tha ai.

Atij tentoi t’i reagojë sërish deputeti Rrahmani, por nuk u lejua nga kryeparlamentarja Haxhiu, pasi tha se deputeti i PDK-së i kishte thënë se s’ka çfarë t’ia japë fjalën atij.

“Me mua me çfarë nuk funksionon, deputet”, tha ajo.

Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i PDK-së, Përparim Gruda.

“Kur të flasim në Kuvend duhet me ditë se s’jemi në rrugë. Nuk mundesh me thanë se janë do haraçxhinj dhe biznese që financojnë PDK-në... A je ti në pushtet, që e ke shtetin tash gjashtë vjet, pse nuk shkon me i marrë dhe arrestu”, tha ai.