Proces i qetë zgjedhor

Sipas KSHZ-së, që të gjitha vendvotimet, gjithsej 3480 sosh, janë hapur në orën shtatë të mëngjesit dhe qytetarët po votojnë qetë dhe në mënyrë demokratike.
“Procesi zgjedhor ka nisur mirë. Sipas informatave, të cilat i kemi marrë nga Komisionet Komunale, gjithçka po shkon me rregull. Ka disa ankesa nga qytetarët se nuk janë në listat zgjedhore, gjegjësisht janë në regjistrin zgjedhor për zgjedhje presidenciale, kurse nuk janë në listat për zgjedhjet parlamentare”.
“Ky fenomen shfaqet meqë kemi të bëjmë me dy regjistra, të cilët janë hartuar në dy periudha të ndryshme dhe ka raste kur një numër i caktuar ka bërë ndryshimin e emrit ose mbiemrit apo vendbanimit, kështu që del se ata votojnë në dy qendra votimi të ndryshme. Por, besoj se këto probleme do të eliminohen dhe qytetarët do të kenë mundësi të realizojnë të drejtën e tyre të votimit”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi.
KSHZ-ja ka bërë të ditur se dalja e votuesve deri në orën 10, në zgjedhjet për presidentin e shtetit është 8.93 për qind, ndërsa dalja e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është pak më e lartë me rreth 9.58 për qind.
Për kreun e shtetit garojnë dy kandidatë, presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, i nomionuar nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, dhe Stevo Pendarovski, kandidat i Lidhjes Socialdemokrate të opozitës.
Ndërkohë që për 123 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë janë paraqitur 14 lista të partive politike dhe të koalicioneve me gjithsej 1.402 kandidatë.
Tre deputetë zgjidhen nga diaspora, ndërsa votimi për ta është zhvilluar gjatë ditës së shtunë. Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë 1.779.572 persona.
Për zgjedhjen e presidentit votohet në njësi zgjedhore, ndërsa sa i përket deputetëve, ato zhvillohen në gjashtë njësi dhe secila prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.
Zgjedhjet po vëzhgohen nga një numër i madh vëzhguesish vendor dhe ndërkombëtarë. Asociacioni qytetar “Most” njofton se të gjitha vendvotimet janë hapur, por gjithashtu informojnë se janë vërejtur disa parregullsi të natyrës teknike para të hapjes së vendvotimeve.
“Vendvotimet në Qendër dhe në Saraj janë hapur me vonesë, për arsye teknike, derisa një vendvotim në Kumanovë është hapur me vonesë për shkak të mosqasjes në terren”, ka thënë kryetari i asociacionit “Most”, Darko Aleksov, duke theksuar edhe kësaj radhe fenomenin e votimit familjar.
Vëzhguesit e OJQ-së “Most” në komunën e Novo Sellës kanë regjistruar pesë raste të votimit familjar.
Nga ana tjetër, organizata joqeveritare “Civil” ka informuar se persona të caktuar kanë tentuar blerjen e votave në mënyrë të organizuar në rajonin e Kërçovës.
“Në Kërçovë janë vërejtur aktivitete për blerjen e votuesve nga ana e dy përfaqësuesve të një partie politike. Kjo është raportuar nga një vëzhgues i ‘Civil’. Kjo ngjarje ka ndodhur në ora 1.30 pas mesnate, kur dy aktivistë kanë ardhur me makinë dhe u kanë rënë zileve të shtëpive të disa familjeve, që njihen si simpatizantë të tyre dhe se i kishin ofruar nga 2000 denarë për një votë”, raportohet në ueb-faqen e tyre zyrtare organizatës “Civil”.
Ndërkaq, sipas KSHZ-së, zyrtarisht janë të akredituar 9.952 vëzhgues vendorë dhe 550 vëzhgues të huaj, me numër më të madh OSBE/ODIHR-i si dhe 283 përkthyes.
Ndryshe, dje ambasadori i Gjermanisë, Gudrun Shtajnaker, ai Britanisë së Madhe, Kristofer Ivon dhe ambasadori i Zvicrës, Stefano Lazaroto, bënë thirrje për zgjedhje të drejta, të qeta dhe të lira gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ambasadorja Shtajnaker në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase bëri thirrje që qytetarët të dalin në votim dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë që të votojnë për zgjedhjen e presidentit dhe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Ambasadori britanik Ivon tha se vlerësimi ndërkombëtar për zgjedhjet e mbajtura është me rëndësi thelbësore për Maqedoninë si vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Edhe ambasadori zviceran, Lazaroto bëri thirrje që të shfrytëzohet e drejta e votimit dhe ajo të jetë kënaqësi për qytetarët. Paraprakisht, edhe ambasadat e SHBA-së dhe BE-së kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta./rel/












































