Në stadiumin “Fadil Vokrri” u zhvillua derbi i parë i kryeqytetit për këtë sezon në Superligën e Kosovës, ku Prishtina arriti të marrë një fitore të rëndësishme me rezultat 2-0 ndaj Prishtinës së Re, në kuadër të xhiros së gjashtë.

Prishtina e nisi më mirë ndeshjen dhe që në minutën e 6-të pati rast të artë me Valmir Veliun, por mbrojtja mysafire reagoi në momentin e fundit.


Pas disa tentativave, rezultati u zhbllokua në minutën e 17-të kur Djordje Saletic harkoi saktë në zonë, ndërsa Mario Ilievski me kokë shënoi për 1-0, duke ndezur festën e tifozëve bardhekaltër.

Prishtina e Re pati shansin më të madh për barazim në minutën e 37-të, kur Drilon Fazliu doli i vetëm përballë portierit Altin Gjokaj, por ky i fundit reagoi në mënyrë fantastike. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Prishtinës.

Skenari i lojës ndryshoi në minutën e 52-të kur Adrian Rudaj i Prishtinës së Re u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së ashpër, vendim që u mor pas rishikimit të VAR. Me epërsi numerike, Prishtina e kontrolloi më mirë lojën.

Në minutën e 69-të, epërsia u dyfishua, kur Blendi Baftiu përfitoi nga asistimi i Ardian Mujës dhe e çoi rezultatin në 2-0.

Deri në fund, Prishtina e pati mundësinë për të shënuar edhe golin e tretë, ndërsa Prishtina e Re kërkoi golin e nderit, por pa sukses.

Prishtina kthehet në vendin e parë së bashku me Dukagjinin me nga 13 pikë, ndërsa Prishtina e Re me 6 pikë mban pozitën e shtatë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app