Oier Sarriegi, me të kaluar në akademinë e Athletic Bilbaos, luan në Superligën e Kosovës me klubin Drenica. Mbrojtësi i djathtë shpjegoi për mediumin e njohur spanjoll “AS” përvojën e tij në klubin nga Skenderaj.

Oier Sarriegi i lindur në San Sebastián, në vitin 1997, kurrë nuk e kishte menduar se karriera do ta çonte në një vend kaq të ri dhe për shumicën të panjohur si Kosova. I formuar në akademinë e Athletic Club, me përvojë gjithashtu te Alaves B, Tudelano, Ebro apo edhe te Beroe në Bullgari, mbrojtësi i djathtë nga Donostia vendosi të bënte një hap të ri në karrierë duke firmosur me KF Drenicën, një nga klubet më të vjetër dhe më të njohur të Kosovës.


Pas debutimit me klubin e Skenderajt, Sarriegi u bë futbollisti i dytë spanjoll në historinë e kampionatit kosovar pas Jalen Blesa, i cili kishte mbrojtur ngjyrat e Istogut, Rahovecit dhe Prishtinës disa vite më parë.


“Është një përvojë unike. Kurrë nuk e kisha menduar të luaja në Kosovë, por doja të provoja diçka ndryshe, të dilja jashtë dhe të shihja deri ku mund të arrija”, deklaroi Sarriegi, që është ende në fazë përshtatjeje me ambientin e ri.

Ai mbërriti në fund të gushtit, ditën e fundit të afatit kalimtar, dhe mezi priti të debutojë.

“Në ndeshjen e parë si titullar luajtëm kundër Dritës, që është ekipi më i mirë i vendit, dhe arritëm të fitonim 0-1. Luajta 90 minuta dhe në një nivel të mirë, kështu që jam shumë i lumtur”, tregon ai me buzëqeshje.

Fitorja ishte më shumë se tri pikë: një mesazh i fortë nga një Drenicë e sapokthyer në elitë që kërkon të rritet me ndihmën e investitorëve të rinj.

Pas shtatë javësh, ekipi nga Skënderaj mban vendin e katërt me bilanc prej tre fitoreve, dy barazimeve dhe dy humbjeve.

“Objektivi është i qartë: të hyjmë në katër vendet e para dhe të sigurojmë Evropën për vitin tjetër”, thekson Sarriegi, tashmë i kthyer në një titullar të padiskutueshëm.

Sarriegi, në aksion

Si është të luash në Drenicë

Edhe pse Spanja nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur, ky vend ballkanik, që shpalli pavarësinë në vitin 2008, është i ri dhe me një popullsi po ashtu shumë të re, gjë që reflektohet edhe në stadiume.

“Më ka habitur pasioni për futbollin. Në ndeshjen tonë të parë ishin mbi 3.000 shikues në tribuna dhe ndjehej që njerëzit e përjetojnë futbollin me shumë pasion, ndoshta edhe më shumë se në Spanjë”, tregon ai.

Drenica, e vendosur në qytetin e Skenderajt, është ndër klubet historike të Kosovës, edhe pse vetëm tani, pas disa vitesh në Ligën e Parë, është kthyer në Superligë.

“Njerëzit të përshëndesin në rrugë, të inkurajojnë… kur u thua që je pjesë e Drenicës, e kupton që është klub shumë i respektuar”, shton Oier.

Drenica duke festuar një nga golat

Superliga e Kosovës është një kampionat në rritje. Synimi është të krijohet hapësirë në Evropë me projekte si ai i Dritës, që këtë sezon arriti fazën e grupeve në Liga e Konferencës dhe do të përballet ndër të tjera me Rayo Vallecanon.

“Mua më ka befasuar shumë niveli. Është një ligë shumë fizike, me lojë shpejt dhe nga njëra portë te tjetra, por futbollistët vendas kanë shumë cilësi. Përveç kësaj, ka të huaj nga vende të ndryshme që e ngritin nivelin. Është e ngjashme me përvojën time në Bullgari: një ligë profesionale dhe kërkuese”, vlerëson mbrojtësi i djathtë.

Ai shton se ndonëse kampionati i Kosovës ndiqet mjaft, e ka habitur njohja e madhe që kosovarët kanë për futbollin spanjoll.

“Më ka bërë përshtypje që dinë aq shumë për ligën spanjolle. E dinë që kam luajtur për Athletic Club ose Alavés. Njohin ato dhe shumë ekipe të tjera”, tregon basku.

Sarriegi, në stadiumin e Gjilanit

“Këtu më shohin pak si Muriqin spanjoll”

Referenca më e madhe e futbollit kosovar është Vedat Muriqi, sulmuesi i Mallorcas dhe idhull absolut në vendin e tij.

“Më thonë shpesh me shaka se jam pak si Muriqi spanjoll, sepse jam i vetmi spanjoll që luaj në këtë ligë. Për ta është diçka e veçantë dhe ma tregojnë hapur”, thotë Oier.

Kjo krahasim tregon rëndësinë që ka futbolli në identitetin e vendit: “Muriqi është si një gjysmë-zoti. Çdo gol i tij me kombëtaren është ngjarje. Kundër Suedisë shënoi dhe stadiumi ishte i mbushur plot. Pasioni këtu është i jashtëzakonshëm”.

Kosova ëndërron të kualifikohet për herë të parë në një Kampionat Botëror, një objektiv historik që reflekton ambicien e një vendi të ri dhe në zhvillim.

Drenica, duke festuar në "Bajram Aliu"

Për Oier Sarriegin, sfida nuk kufizohet vetëm në fushë. Jeta e përditshme në Skenderaj i kërkon edhe përshtatje me zakone dhe kulturë të ndryshme.

“Këtu flitet shqip dhe jo të gjithë dinë anglisht, edhe pse të rinjtë po. Po mësoj disa fjalë bazike për t’u integruar dhe për të treguar respekt. Më ka bërë përshtypje edhe feja: është vend me shumicë myslimane dhe shumë shokë të ekipit luten para dhe pas stërvitjeve. Në fillim të habit, por pastaj e sheh si pjesë e normalitetit”, shpjegon mbrojtësi.

Larg imazheve stereotipike të një vendi të shënuar nga lufta, Oier ka gjetur një realitet tjetër: “Më ka befasuar sa modern është gjithçka. Banesa ime është e re, infrastruktura është shumë e mirë dhe cilësia e jetës është e kënaqshme. Ndoshta nga jashtë pret diçka tjetër, por kur vjen këtu e sheh një vend në rritje, me njerëz të rinj dhe plot jetë në rrugë”.

Një udhëtim me rrugë të gjatë

Karriera e tij është karakterizuar nga polivalenca. Nga sulmues në fillimet te Lezama, në mbrojtës i djathtë, me përvoja edhe si qendërmbrojtës apo mbrojtës i majtë, Oier gjithmonë është përshtatur sipas rrethanave.

“Pozita ime natyrale është mbrojtësi i djathtë, por përshtatem me atë që kërkon trajneri. Mendoj se këtu mund të jap nivel të mirë sepse është ligë shumë fizike dhe e shpejtë, me pak pushime në lojë, gjë që përshtatet me karakteristikat e mia”, shpjegon ai.

Pas aventurës në Bullgari, ku përjetoi për herë të parë futbollin jashtë Spanjës me Beroen, tani objektivi i tij është i qartë: të konsolidohet në futbollin profesionist.

“I jam shumë mirënjohës agjentit tim (Tonin Fernández) për mundësinë që më dha duke më dërguar në Beroe. Në Spanjë është shumë e vështirë të arrish në Primera ose Segunda. Këto liga të japin mundësinë të jesh profesionist, të luash në stadiume me 10.000 apo 15.000 shikues, dhe janë përvoja unike. Unë i këshilloj çdo lojtari që ka mundësi të dalë jashtë, ta bëjë. Të ndryshon jetën”, thotë ai.

Oier Sarriegi, në aksion

Me 28 vjet, Sarriegi beson se ende ka shumë rrugë përpara: “Ambicia ime është maksimale. Dua të bëj një sezon të mirë këtu, ta ndihmoj Drenicën të rritet dhe të vazhdoj të eci në karrierën time. Ende kam shumë vite në futboll dhe dua të arrij sa më larg që të jetë e mundur”. /Telegrafi/

telegrafi sport app