LAJMI I FUNDIT:
Prishtina 8° clearsky_day

“Prishtina është më e rëndësishme se çdo imazh” – Sveçla arsyeton dëmtimin e mikrofonit

“Prishtina është më e rëndësishme se çdo imazh” – Sveçla arsyeton dëmtimin e mikrofonit

Shefi i grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas publikimit të videos ku ai shihet duke demoluar pajisjet në sallën e mbledhjes.

Ai ka theksuar se këtë veprim e bëri për të pamundësuar miratimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe zgjerimin e Zonës Ekonomike.

“Për të pamundësuar vazhdimin e një seance të jashtëzakonshme klandestine të Kuvendit Komunal, ku do të votohej Plani Zhvillimor Komunal dhe zgjerimi i Zonës Ekonomike, në një moment kam provuar ta defunksionalizoi mikrofonin e Kryesuesit të Kuvendit”, ka shkruar Sveçla.


Gëzim Sveçla i LVV-së demolon pajisjet në sallën e mbledhjeve në Komunën e Prishtinës
Lexo po ashtu Gëzim Sveçla i LVV-së demolon pajisjet në sallën e mbledhjeve në Komunën e Prishtinës

Ai theksoi se veprimet e tij kishin për qëllim mbrojtjen e interesave të qytetit dhe shmangien e projekteve që sipas tij “dëmtojnë qytetin, ngulfasin zhvillimin dhe ju shërbejnë pronave të oligarkëve.”

“Edhe pse mikrofoni u rregullua, seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit dhe, të paktën përkohësisht, nuk u miratuan projekte që e dëmtojnë qytetin,” deklaroi Sveçla.

Ai shtoi se këto projekte mund të shndërrojnë toka bujqësore dhe hapësira të gjelbra në zona ekonomike, duke akuzuar për pazare personale dhe partiake që, sipas tij, janë në dëm të interesave të qytetarëve të Prishtinës.

“Pazaret personale e partiake, favoret e kusuritjet për financim të fushatave zgjedhore nuk mund të bëhen në dëm të qytetit Prishtinës. Mbase veprimet për t’i parandaluar këto pazare nuk janë pamjet që do të donim t’i shihnim, por Prishtina është më e rëndësishme se çdo imazh i paraqitur,” përfundoi ai. /Telegrafi/