Një video e rrjedhur nga një takim i mbyllur tregon përpjekjet dëshpëruese të regjimit venezuelas për të kontrolluar narrativën pas kapjes së presidentit Nicolas Maduro nga forcat amerikane.

Në këtë video, ministri i Komunikimit, Freddy Nanez, vendos telefonin pranë mikrofonit për një grup njerëzish pro‑qeverisë, ndërsa në altoparlant flet presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez.


Kjo e fundit pretendon se kur forcat amerikane kapën Maduron, atij, vëllait të saj, Jorge Rodríguez dhe Diosdado Cabello u dhanë vetëm 15 minuta kohë për t’u përgjigjur nëse do t’u përmbaheshin kërkesave të Uashingtonit – “përndryshe do t’i vrisnin”.

Ajo thotë se u detyruan të bashkëpunonin për shkak të “kërcënimeve dhe shantazhit të vazhdueshëm”, duke shtuar se prioriteti i tyre ishte të ruanin pushtetin politik, shkruan theguardian.

Video u regjistrua rreth shtatë ditë pas sulmit të forcave amerikane dhe tregon shqetësimin e figurave të larta të regjimit se mund të akuzoheshin për tradhti dhe se lëvizja e brendshme politike mund të thyhej.

Në takim, ministri i Komunikimit pohoi se qeveria po negocionte për të shpëtuar pozicionin e saj dhe se ajo që po ndodhte ishte pjesë e një plani më të gjerë për të kontrolluar situatën, përfshirë edhe shitjen e naftës.

Rodriguez nuk ka përsëritur zyrtarisht kërcënimin për vdekje, por ka deklaruar se janë në proces dialogu me Shtetet e Bashkuara për të adresuar dallimet dhe sfidat përmes diplomacisë.

Analistët politikë thonë se është e vështirë të verifikohet nëse kërcënimet ishin reale apo një konstrukt për të mbajtur bashkë bazën politike. /Telegrafi/