LAJMI I FUNDIT:

Politika, pastaj paraja!

Politika, pastaj paraja!

Veç të tjerash, kriza që ka shpërthyer këto ditë ndërmjet BE-së dhe Turqisë dëshmon bindshëm se ekonomia dhe paraja vërtet nxisin, forcojnë, madje dhe përcaktojnë politikën; por në asnjë rast nuk e zëvendësojnë dot atë. Dihet tashmë se në vitin 2016, në demarshet për zgjidhjen e saj dhe pas grindjeve të brendshme, BE-ja mendoi me naivitet se e zgjidhi krizën e paparë të azilit me marrëveshjen që nënshkroi me Turqinë; thjesht duke i derdhur kësaj të fundit tre miliardë euro në vit për strehimin atje të 3,6 milionë refugjatëve sirianë. Ishte një zgjedhje ekonomike për BE-në e pasur; mirëpo, në vend që të vazhdonte të luftonte për një zgjidhje të qëndrueshme dhe tërësore, që të mos ishte nën mëshirën turke, BE-ja ra në gjumë të thellë; ajo e shfrytëzoi periudhën katër vjeçare vetëm sa për ta shtyrë pa afat këtë krizë, edhe pse shenjat e rishfaqjes nuk kanë munguar; po aq e fjetur u tregua BE-ja dhe në politikat e saj me Libinë dhe Sirinë, duke e nxjerrë veten vullnetarisht “jashtë loje”; kësisoj, i la gjithë terrenin e lirë Rusisë dhe Turqisë, të cilat “gjetën shesh dhe bënë përshesh”. Dhe, më e keqja, me gjithë fjalët dhe premtimet, ajo nuk bëri asnjë centimetër përpara për miratimin e politikës së përbashkët të migracionit.

Pikërisht në këto kushte, Turqia kërkon t’ia “faturojë” telashet e saj të brendshme dhe të jashtme BE-së; kjo e fundit u kap “gafil” dhe e shtrënguar të mbrojë me çdo kusht nëpërmjet Greqisë kufijtë e saj. Mirëpo, ky nuk është gabimi i parë dhe i vetëm i BE-së. Si donatori më i madh financiar në botë, ajo ka synuar të ndikojë dhe në politikën botërore, që të kthehet nga një “global payer në global player” d.m.th. nga një “sponsor në aktor global”. Por, pa realizuar pothuajse asnjë objektiv të tillë politik, sidomos në Lindjen e Mesme, dhe si burim i madh i krizave të azilit për shkak të konflikteve të brendshme të armatosura dhe luftrave rajonale. Për pasojë, BE ka mbetur si më parë «gjigand ekonomik por xhuxhmaxhuxh politik”.

Gjithsesi, ka dhe vende të tjera të mëdha demokratike, të cilat, në pamundësi të gjetjes së zgjidhjeve politike të qëndrueshme, nxitohen dhe e teprojnë me “zgjedhën “e parasë dhe të ekonomisë. Vitet e fundit, dhe Administrata e Presidentit Trump, po i jep përparësi absolute, madje po e fetishizon forcën e parasë për zhvillimin ekonomik, si mjet për t’i dhënë fund krizave dhe konflikteve apo dhe për miratimin e marrëveshjeve të ndryshme me palët përkatëse. Ndoshta këtu ndikon fama dhe përvoja e jashtëzakonshme sipërmarrëse e Presidentit Trump; si dhe mendimi se këto taktika biznesi në politikën/diplomacinë ndërkombëtare mund të sjellin sukses të shpejtë, veçanërisht këtë vit të zgjedhjeve të reja presidenciale.


Pa mohuar qëllimin e mirë dhe anën racionale, kjo strategji mund të jetë efikase vetëm kur merr parasysh dhe paraprihet nga alternativa dhe rezultate të dukshme në trajtimin e shqetësimeve kryesore të vendeve përfituese, veçanërisht kur atje ka regjime autoritare dhe diktatoriale.

Më konkretisht, vështirë që ofertat sado bujare ekonomike të impresionojnë, e ca më tepër të ndryshojnë politikat e diktatorit koreano-verior Kim Jong-un; se ai nuk do t’ia dijë për mirëqenien e popullit, por vetëm për pushtetin dhe sigurinë e tij, që të mos ketë fatin e Kadafit; dhe këtë siguri ia japin armët bërthamore.

Tani së fundi, për të joshur Palestinën, presidenti Trump përfshiu si komponent themelor në Planin e tij të Paqes me Izraelin dhe paketën me 50 miliard Dollarë. Mirëpo kjo nuk u hyri fare në sy liderët palestinezë; presidenti i tyre Abbas e hodhi poshtë, duke, duke deklaruar se “nuk e kanë për shitje Palestinën”

Ndodh kështu sepse, paraja, Dollari, Euro, pra fondet financiare në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të prodhojnë rezultate të prekshme kur shoqërohen me një ose disa kushte thelbësore me pritshmëri të qarta gjeopolitike. Në të kundërt, ato kthehen në bumerang, si pasojë e politikës madje dhe për interesa të saj të çastit. Por, le ta ilustrojmë këtë realitet me disa shembuj të spikatur të 120 viteve të fundit.

Në fillimin e viteve 1900, ishte presidenti amerikan Tuft që shpalli “diplomacinë e dollarit” e cila konsistonte në akordimin e fondeve të mëdha financiare nga shteti dhe korporatat gjigande amerikane për vende të ndryshme në Azi dhe Amerikën Latine, për të ndikuar në politikat e tyre. Mirëpo, “diplomacia e dollarit” dështoi, duke u perceptuar më shumë si tentativa “për blerjen dhe korruptimin e regjimeve” dhe shfrytëzimin e atyre vendeve. Ndaj, ndër vendimet e para të pasardhësit të tij, W. Wilson ishte denoncimi i saj” Më vonë, ShBA e zëvendësoi atë me sukses me diplomacinë e vërtetë ekonomike, ku ajo shquhet me modelet pozitive.

Shembulli tjetër negativ i parasë kur injorohen tërësisht kriteret politike dhe njerëzore janë dëmshpërblimet kolosale dhe poshtëruese që Traktati i Paqes i Versajës vendosi mbi Gjermaninë më 1919. Rezultati? Kaosin dhe skamjen që pllakosi vendin në atë periudhë e shfrytëzoi më së miri Hitleri me pasojat tashmë të njohura.

Për fat të mirë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aleatët perëndimorë jo vetëm nuk e përsëritën atë gabim historik, por ShBA lansoi më1947 Planin gjigand të ndihmave “Marshall” Ky Plan me fondet e tij kolosale nuk u pa dhe as nuk u kthye në mjet për të blerë apo korruptuar elitat e reja perëndimorë ; përkundrazi, ato ishin mbështetje e fuqishme për proceset e reja të përparuara për paqe, demokraci dhe stabilitet. Ato ndihmuan shumë Gjermaninë e Adenauer dhe Erhard për të krijuar brenda pak viteve “mrekullinë social-ekonomike”, pajtimin historik me Francën, krijimin e BE-së, të rendit të ri ndërkombëtar, etj.

Të njëjtën logjikë zbatoi në vitin 1970 kancelari legjendar Willy Brandt, kur shpalosi Ostpolitik-ën e famshme, për të cilën u laureua dhe me Nobel për Paqe. Komponenti i saj kryesor ishte paketa me ndihma dhe projekte të mëdha financiare për RDGJ-në dhe vendet e tjera lindore; me synimin strategjik për ndryshimin e regjimit atje nëpërmjet afrimit në të gjitha aspektet, kur doktrina e përmbysjes së tyre me forcë ushtarake kishte dështuar. Efektet ishin të menjëhershme dhe të vazhdueshme ; brenda dy vitesh, u bë njohja reciproke dhe anëtarësimi i RDGJ-së në OKB dhe të dyja hynë ndër të parat në OSBE ; për rrjedhojë, Perëndimi me vlerat dhe arritjet e tij u bë vitrinë e vërtetë e mirëqenies dhe begatisë.

Meqenëse jemi te Gjermania, dihet tashmë roli dhe rëndësia e bisedimeve tregtare që filluan në vitin 1985 me praninë dhe të Mercedes Benz-it me vendin tonë. Vetëm se ato u bënë mbi bazën e premtimit dypalësh për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, çka ndodhi dy vite më vonë. Kishim dhe më parë shkëmbime tregtare, por pas ndryshimit të sistemit politik te ne ato morën impuls të ri, sidomos pas viteve 1990.

Duke ardhur në rajonin tonë, tani së fundi, në përpjekjet për t’i dhënë jetë dialogut Prishtinë-Beograd, ShBA kanë lënë të nënkuptohet se do të akordojnë paketa të mëdha ndihmash financiare dhe projekte ekonomike me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së shumëpërfolur. U përcoll me shumë bujë dhe në Uashington nënshkrimi i Letrave të Mirëkuptimit në Berlin lidhur me rifillimin nga funksionimi të linjës ajrore dhe hekurudhore Prishtinë-Beograd.

Në fakt, gjatë 30 viteve të fundit, si BE-ja dhe ShBA-të kanë akorduar miliarda euro dhe dollarë në Ballkan; veç kësaj, BE ka tetë vjet që po ndërmjetëson dialogun e lartpërmendur, madje e ka filluar dhe vazhduar pikërisht me aspektet ekonomike, teknike, tregtare, doganore etj. si këto; me synim që shkallë-shkallë dhe pa vonesë, të dyja vendet të afrohen me njëra-tjetrën deri në njohjen e ndërsjellë, çka duket ende shumë larg. Si ShBA-të dhe BE-ja nisen nga mendimi që të mos “hyjnë drejt e në thela”, por t’i bien anash e anash, me aspekte konkrete për njeriun e thjeshtë; megjithatë, në Rajonin tonë ka një numër të madh paktesh, nismash, projektesh, programesh dhe procesesh teknike, ekonomike, rinorë etj. me emra tingëllues gjeografike, i fundit ai i Berlinit; por sërish vullneti dhe dialogu politik ka mbetur në vend numëro. Pastaj, po të qe puna për para, ekonomi e tregti, Serbia do të ishte e para që do të hynte në NATO dhe në BE; atë nuk e pengoi Kosova dhe askush tjetër, veç politikave agresive dhe gjenocidit të pashembullt të Milosheviqit; për fat të keq, dhe Serbia e sotme ka mbetur peng e asaj të kaluare, me gjithë fjalët e bukura dhe eufemizmat evropiane. E pra, aty është e keqja, aty do të gjendet dhe zgjidhja që në radhë të parë është politike.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Shengenin Balkanik. Qeveria jonë ka parashtruar avantazhet dhe lehtësitë e tij të mëdha lidhur me katër liritë e famshme të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Mirëpo, dhe ky projekt nuk mund të ketë sukses sepse deri tani i mungon kryesorja – trualli, tabani dhe mjedisi i duhur politik, të paktën pranues, se miqësor duket si shumë. Kur Serbia nuk ka kërkuar ndjesë ende për krimet e kryera në Kosovë, madje e quan dhe Reçakun trill perëndimor; ajo nuk njeh Kosovën dhe bën lobim agresiv për tërheqjen e njohjeve të mëparshme. Nuk po hyjmë te problemet serbo-malazeze apo dhe te tendencat e fundit separatiste të serbëve të Bosnjës që e bëjnë Shengenin të pamundur. Për pasojë, dhe ne, në vend të merremi me Serbinë që është shkaku i problemit, i “turremi” liderëve të rinj të Kosovës pa asnjë faj, duke çuar, dashur pa dashur “ujë në mullirin “e politikës regresive serbe! Pra, çështja shtrohet thjesht, si në realpolitik: nëse Serbia do dialog me Prishtinën dhe Shengen Ballkanik, le ta fillojë duke treguar dhe ajo si qeveria Kurti qoftë dhe një shenjë, sado të vogël, të vullnetit të mirë dhe pastaj le të ulen palët në tryezë. Ndryshe, dhe bonuset më të mëdha ekonomike apo marrëveshjet më të leverdishme të na sigurojnë BE dhe ShBA-të, madje jo “mini” por dhe “Maksi – Shengena” të krijojmë, gjithçka do të mbetet si më parë – “wishful thinking” pra “vetëm dëshirë e mirë”. Sepse e para vjen politika, pastaj paraja dhe ekonomia.

Në trend

Më shumë
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Botë
Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Ekonomi
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Drejtësi
Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Lajme
U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori

U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori

Femra
Kalo në kategori