Podujevë, u mbajt turneu tradicional në futboll të vogël në Kërpimeh

Komuna e Podujevës ka njoftuar se është përmbyllur turneu tradicional në futboll të vogël në fshatin Kërpimeh, i organizuar në nderim të dëshmorëve të kësaj ane.
Ky turne për disa javë me radhë mblodhi shumë dashamirë të futbollit, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive.
"Finalja e turneut u zhvillua mes ekipeve FC Batllava dhe FC 7 Vëllezërit Sylevica, ku pas një ndeshjeje të fortë dhe të bukur, fituese doli skuadra e FC Batllavës", bëhet e ditur në njoftim.
Në përcjelljen e finales mes qindra pjesëmarrësve ishin edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Vlora Humolli-Jashanica.
Kryetari Bulliqi i falënderoi të gjitha ekipet pjesëmarrëse për garën korrekte dhe sportive, si dhe i përgëzoj organizatorët e këtij turneu, të cilët me përkushtim dhe punë të palodhshme mundësuan realizimin e turneut. /Telegrafi/






















































