Platforma "MeZemër" sjell produktet shqiptare në tryezat botërore
Sipërmarrësja shqiptare, Ilda Hila, ka lansuar në Konektikat të SHBA-së platformën MeZemër, një iniciativë që synon të lidhë shqiptarët e diasporës me vendlindjen përmes shijeve, produkteve dhe traditave autentike shqiptare.
E konceptuar si një urë bashkëpunimi mes prodhuesve vendas dhe tregjeve ndërkombëtare, MeZemër ka për qëllim të promovojë markën “Made in Albania”, të mbështesë prodhimin vendor dhe të fuqizojë familjet në zonat rurale, duke e kthyer mallin e shqiptarëve jashtë vendit në mundësi ekonomike.
Prezantimi i platformës u mbajt në rezidencën e filantropit shqiptaro-amerikan Richard Lukaj, ku Hila shpalosi vizionin e saj para disa pronarëve të njohur të restoraneve në SHBA. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me kryekuzhinierin e njohur shqiptar Fejsal Demiraj, i cili krijoi një menu të dedikuar për MeZemer.com, me pjata ikonike shqiptare si verë, raki, vaj ulliri, çajra dhe mjaltë.
“Shpresa jonë është që kjo ngjarje të ketë efekt boomerang—duke frymëzuar shqiptarët kudo në botë të organizojnë evente të ngjashme dhe që restorantet ndërkombëtare të përfshijnë produkte shqiptare në ofertën e tyre. Kështu mbështesim prodhimin vendës, fuqizojmë zonat rurale dhe promovojmë Shqipërinë si një brand cilësie në botë,” tha Hila gjatë fjalës së saj.
Nga ana tjetër, nikoqiri i ngjarjes, Richard Lukaj, theksoi cilësinë e produkteve shqiptare duke i konsideruar ato të denja për shijet më të rafinuara. “Qasja online dhe transporti profesional e bëjnë të lehtë për këdo që të krijojë një rast të veçantë në shtëpinë e tij, por edhe një mënyrë të shkëlqyer për të ndarë dhurata me miqtë joshqiptarë,” tha ai.
Në këtë mbrëmje morën pjesë edhe pronarët e disa prej restoranteve më të njohura në Nju Jork si Bruno Selimaj, Elio Ahmetaj dhe Ben Celaj, ndërsa u prezantua një listë ekskluzive verërash shqiptare si Çobo, Uka, Duka, raki nga Mrizi i Zanave, si dhe produkte të tjera tradicionale.
Pas një karriere të suksesshme në Milano, Ilda Hila është rikthyer në Lezhë për të ndërtuar platformën MeZemer.com, me vizionin që të tregojë se Shqipëria ka produkte autentike që mbartin kulturë, identitet dhe potencial të madh eksporti.















































