Plani për fabrikën e xeheve në Shajne, kryetari Xheladini siguron qytetarët se s’do lejohet dëmtimi i shëndetit dhe mjedisit

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini përmes një sqarimi është përgjigjur ndaj kritikave të shprehura rreth planit për ndërtimin e një fabrike për shkrirjen dhe përpunimin e xeheve në fshatin Shajne.
Me këtë rast ai ka shprehur qëndrimin se nuk do të merren vendime për investime që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe që ndotin mjedisin.
Sipas tij pas publikimit të rendit të ditës për mbledhjen e Kuvendit të Komunës ka pasur reagime kundër këtij investimi me pretendimin se ai e ndotë mjedisin dhe dëmton shëndetin e popullatës.
“Unë si kryetar i Komunës dhe asamblistët jemi të zgjedhurit tuaj dhe me asnjë kusht nuk do të marrim vendime për asnjë lloj investimi që dëmton shëndetin tuaj dhe ndot ambientin. Ne do ta përkrahim vullnetin e qytetarëve të zonës”, thuhet në sqarimin e Xheladinit, raporton Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Dragashit ka theksuar se ky investim pritet të kushtojë rreth 45 milionë euro dhe se do të punësojë 250 persona.
“Fabrika do të furnizohet me ujë nga shpuarja ndërsa rrymën do ta prodhojë me gjenerator. Teknologjia e kësaj fabrike do të jetë e vitit 2024 dhe fabrika do të jetë e tipit të gjelbër, pa oxhak për emetimin e gazrave. Fabrika do të jetë e tipit të mbyllur dhe gazrat që prodhohen do të shndërrohen në një lëng, të cilin investitori do ta shet në treg”, ka bërë të ditur Xheladini.
Ai ka theksuar se ky investim do të sjellë përfitime për qytetarët dhe komunën, përfshirë dhe mbështetjen e klubeve sportive, duke shtuar se të gjitha këto do të prezantohen me datën 6 prill 2025, në takimin me banorët që do të zhvillohet në shkollën e fshatit.
“Pse ky investim në zonën kadastrale të fshatit Shajne? Për shkak se komuna ka vetëm një zonë industriale, e cila është e vendosur në ZK Shajne, dhe me ligj, Kryetari i Komunës dhe Asambleja Komunale kanë të drejtë ligjore të propozojnë investime vetëm në atë zonë. A është vendimi i Asamblesë Komunale i ligjshëm? Vendimi i Asamblesë komunale i nënshtrohet shqyrtimit të ligjshmërinë nga ministria përkatëse e Qeverisë së Kosovës. A është vendimi i Asamblesë definitiv? Jo. Pas këtij vendimi, investitori duhet të sigurojë së paku edhe dhjetë leje të tjera nga ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, ndërsa leja e fundit është ajo e Ministrisë së Mjedisit”, thuhet në sqarimin e Xheladinit, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është zotuar se ai dhe asamblistët do të respektojë vullnetin e qytetarëve.
Paraprakisht, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me propozimin për dhënien në shfrytëzim të pronës publike në fshatin Shajne, për ndërtimin e fabrikës për përpunimin dhe shkrirjen e xeheve.
Ky subjekt politik ka theksuar se nuk është kundër asnjë investimi kapital, por se në këtë rast duhet sqaruar paqartësitë dhe shpërputhjet logjike që ka nisma e Ekzekutivit komunal.
“Për dhënien në shfrytëzim të pronës ku jetojnë banorët e fshatit Shajne, nuk ka pasur asnjë konsultim paraprak, as me banorët, e as me kryesinë e fshatit. Në biznes-planin e paraqitur nga investitori ka një mori kontradiktash, të tilla si ajo që gjeneratori kushton më shumë se i gjithë ndërtimi dhe e gjithë makineria e fabrikës që do ndërtohet”, thuhet se në reagim për të vijuar se toka është e kategorisë 3 dhe se nevojitet leja mjedisore nga niveli qendror.
“Ka një historiat të çuditshëm të biznesit në fjalë, që nga regjistrimi fillestar, tek riregjistrimi më vonë, tek bartjet e aksioneve nga një kompani paraprake, e të tilla detaje, për të cilat sigurisht që nevojiten mori sqarimesh shtesë. Zona është e banueshme dhe parametrat e sigurisë shëndetësore për sigurinë e banorëve përreth zonës nuk respektohen. Fabrika do të shkaktojë ndotje ekologjike të llojeve të ndryshme”, thuhet në reagimin e LVV-së, raporton Telegrafi.
Për këto arsye, ky subjekt politik ka pohuar se mbështet qëndrimin e banorëve të fshatit Shajne për kundërshtimin e kësaj nisme, dhe se do të ndërmarrë disa hapa për qartësimin e çështjes në fjalë dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ditë më parë, në faqen e fshatit Shajne në rrjetet sociale është publikuar reagimi i banorëve përkatësisht kundërshtimi i planit për ndërtimin e fabrikës së shkrirjes dhe përpunimit të xeheve në këtë zonë.
“Ky projekt i dëmshëm, i iniciuar nga pushteti lokal, paraqet rrezik serioz për shëndetin e banorëve dhe për ambientin e pastër të Sharrit”, thuhet në reagim, duke shtuar se tymi, mbetjet toksike dhe ndotja e ujërave përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e fëmijëve, bujqësinë dhe turizmin, raporton Telegrafi.
Aty thuhet se ku projekt do të kundërshtohet me të gjitha mjetet.
“Ne e bëjmë të qartë: ky projekt nuk do të kalojë!”, thuhet në reagimin e banorëve të fshatit Shajne. /Telegrafi/










































