Planet “ekstravagante” të Lamine Yamal për festën e Topit të Artë

Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal është gati të tërheqë vëmendjen në ceremoninë e Topit të Artë 2025, ku 17-vjeçari ndodhet mes kandidatëve për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Ngjarja madhështore do të zhvillohet të hënën, më 22 shtator. Favoriti kryesor shihet sulmuesi i PSG-së, Ousmane Dembele, por Yamal dhe bashkëlojtari i tij Raphinha konsiderohen gjithashtu pretendentë seriozë.
Sipas “Mundo Deportivo”, Lamine Yamal do të mbërrijë në Paris i shoqëruar nga 20 anëtarë të familjes, të gjithë të veshur me krijime të veçanta të ‘Dolce & Gabbana’.
Në rast fitoreje, adoleshenti spanjoll ka planifikuar një festë private luksoze në kryeqytetin francez, duke e kthyer momentin në një ngjarje të paharrueshme.
Në edicionin 2024/25, Yamal shkëlqeu me Barcelonën duke luajtur 55 ndeshje, ku shënoi 18 gola dhe dhuroi 25 asistime. Performancat e tij ishin vendimtare në fitimin e La Liga-s dhe Kupës së Mbretit nga katalanasit.
Edhe pse shifrat e Yamal janë mbresëlënëse, raportimet e para e shohin Dembelen si favorit kryesor për trofeun. Megjithatë, prania e Yamal në ceremoninë prestigjioze, i shoqëruar nga familja dhe planet e tij ekstravagante, tregojnë ambicien e madhe për të hyrë në elitën e futbollit botëror./Telegrafi/


















































