Fshati Derevyannoe në Kareli në veriperëndim të Rusisë, duket si një vend i këndshëm për të jetuar.
Molla plot dhe kopshte të rregulluar, varka gati për të lundruar në liqenin aty pranë dhe drurë të grumbulluar për dimër.
Zhurma e qukapikëve mund të dëgjohet duke goditur majat e pishave, ndërsa qentë lehin ashpër pas hekurave. Nuk duket si një vend për vrasje masive, shkruan Sky News.
Irina Zhamoidina qëndron përpara shtëpisë së djegur të vëllait të saj Artyom Tereshchenko, transmeton Telegrafi.
Ai dhe babai i saj Vladimir, 71-vjeçar, u vranë këtu natën e 1 gushtit.
Dy burra, të dy ish të dënuar, njëri prej të cilëve sapo ishte kthyer nga fushëbeteja, hynë brenda dhe goditën me thikë babë e bir përpara se t’i vunë zjarrin pronës.
Fëmijët nga 9 deri në 12-vjeç, kanë arritur të ikin përmes dritare dhe të alarmojnë të tjerët.
“Babai im padyshim nuk e ka merituar një vdekje të tillë. Jemi nga një familje e mirë. Nuk është dashur kështu të vdes”, tha Irina.
Dyshja e burrave më pas vazhduan përgjatë rrugës deri te shtëpia tjetër, që ishte vetëm qindra metra larg dhe vranë katër persona që jetonin atje, tre burra dhe një grua – para se t’i futnin zjarrin shtëpisë.
Njëri nga burrat, Maxim Bochkarev, ishte i njohur për probleme të shumta. Ka vuajtur dënimin për vjedhje, vjedhje veturash, përdhunim dhe sulm seksual në burgun e Shën Petersburgut, ku është njohur me partnerin e krimit Igor Sofonov.
37-vjeçari Sofonov është dashur të vuaj edhe një dënim prej tre vitesh për vjedhje, plaçkitje dhe tentimvrasje, por se ministria ruse e Mbrojtjes e rekrutoi nga burgu dhe e dërgoi në Ukrainë, një praktikë që e filloi kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, e me entuziazëm e përqafoi ushtria ruse.
“Besoj se kushdo që ishte në burg, madje edhe nëse ka shkuar në luftë, është dashur të rikthehet atje pas rikthimit në shtëpi”, konsideron Irina.
Çdo herë e më shumë krime po kryhen nga ata që janë kthyer në shtëpi pasi ishin në vijën e frontit në Ukrainë. Në pranverë, Prigozhin tha se 32 mijë njerëz që Wagner i rekrutoi po kthehen në Rusi, e të dhënat e tyre kriminale janë shlyer.
Në qytetin Krasnodar në jug të Rusisë, një ish-pjesëtar i Wagner, ishte dënuar për vrasjen e dy persona duke shkuar për në shtëpi.
Ka pasur raste të vrasjeve, sulmeve seksuale, keqtrajtimit të fëmijë nga ana e të dënuarve për ngacmime seksuale.
Në Nova Burev, rreth 800 kilometra në lindje të Moskës, ish-i burgosuri, pjesëtar i Wagner vrau një grua të moshuar, madje edhe pasi banorët disa herë shprehën brengën tek autoritetet se një ish-i burgosur po bredh rrugëve. /Telegrafi/