PINK FLOYD TË DASHUR

Poezi dedikuar grupit Pink Floyd, në 50-vjetorin e albumit të tyre, “Wish You Were Here”.
Poezi nga: Simon Armitage, Poet Laureat i Mbretërisë së Bashkuar (2019)
Përktheu: Agron Shala
Pink Floyd të dashur.
Pra, pakoja mbërriti.
Faleminderit shumë.
Iu deshën 50 vjet.
Është një kapsulë kohe,
një arkë e mbushur me thesar,
një mesazh në shishe,
lidhur në një rrip shpëtimi
hedhur mbi një varkë shpëtimi
nga një anije fantazmë.
E mbajta kthyer kah dielli.
Ia vuri flakën shtrëngimit tim të duarve.
Shikova përmes vrimës në mes.
Ishte një Camera obscura
që fokusonte dritën e yjeve.
I kapa vorbullat e saj të fundit,
në orbitën e boshtit.
Ula eksploruesin hënor të penës,
në kufijtë e tij më të largët.
Gjithçka u kthye në një rrjedhë të furishme.
Pink Floyd,
flokët i kishit shumë të gjata.
Pink Floyd,
ju pashë duke luajtur në Pompei.
Të vdekurit u ngjitën
nga zgavrat e veta,
për të parë.
Të varrosurit u ngritën nga sarkofagët e tyre të përhirtë
për të tundur kokën,
për të bashkuar duart,
për të bërë dashuri.
Pink Floyd,
isha aty kur luajtët në Eldorado,
në Maçu Piçu,
në Valhallë.
Perënditë mbetën pa fjalë.
Pashë dhe dëshmova kur luajtët
në Kopshtet e Varura të Babilonisë,
në Majën e Kilimanxharos,
kur luajtët në Hendekun Mariana
dhe peshqit transparentë pulsonin me rreze ultravjollce.
A menduat ndonjëherë se në sa shumë veshë
do të depërtonit, Pink Floyd?
A mund të jem në grupin tuaj?
A i keni paramenduar ato miliona mendje
ku do të hynit e do të dilnit?
E vratë muzikën klasike,
me një dridhje çliruese telash.
Krijuat kolona zanore,
për ëndrra të thella.
Bëtë astrofizikë pa numra,
filozofi pa fjalë,
i nxitët atomet të vibrojnë në kocka dhe në tru.
Ju pashë, Pink Floyd, duke luajtur në Proksima Centaur,
në hapësirën e largët.
Universi u ul këmbëkryq,
apo ndoshta e luajti vallen e transit të zombive.
E keni shtyrë dritën të përkulej.
Ia keni kajtë nanën gravitetit, Pink Floyd.
Do të donit të isha aty?
Unë isha aty gjatë gjithë kohës.
Jam ende - anash në prapaskenë,
me turmën para në ekstazë,
me hipikët e pankerët të përhumbur në prapavijë,
me bosët me ndikim që pinë cigare kubane
prapa xhamave që nuk lejojnë depërtimin e muzikës.
Ishit spiritualë në studio.
Pink Floyd,
flokët i kishit shumë të gjata.
Ju shkoi ndonjëherë ndër mend se mund ta anoni botën,
me zhurmë?
Se mund t’i bëni masazh zemrës,
me një notë?
Pink Floyd, e keni gjetur frekuencën
e rezonancës së shpirtit njerëzor.
Çfarëdo që kënduat,
është gdhendur.
Cilindo akord që prekët,
është skalitur.
E dëgjova fshehtas këtë album,
në ditën e parë.
Kishte trajtë.
E rrotullova shumë pas 25 vjetëve,
kishte qenësi dhe teksturë.
Po e dëgjoj tani, pas gjysmë shekulli.
Ka formë dhe dimension.
Është mungesa e zëvendësuar nga prania.
Përmbushja e zhbërë nga mallëngjimi.
Pink Floyd, ju pashë në koncert në Arkadi,
në Narni, në polin magnetik jugor në Ankor.
Çfarë?
Në hijen okër të Ulurusë në Atlantidë,
kur isha ai i çmenduri,
që u hodha në skenë
dhe u thatë truprojave të më linin rehat.
Më lejuat të pluskoj e të tundem.
Kishit flokë shumë të bukura, shumë të gjata.
Oh, pinkflojderët e mi,
isha aty në studio,
i njollosja fletët
me gishtat e mi me ngjyrë,
Luaja me fejderët,
e mbështesja fytyrën në xham,
flija në sint,
mblidhja copëzat e incizimeve,
në një qese plastike.
Dhe, zotërinj të dashur, Pink Floyd,
kjo zbërthen ungjillin e vërtetë.
Pashë një fëmijë me bluzën Wish You Were Here
aq thellë në Amazonë,
sa edhe pemët ishin të humbura.
Pashë një grua që terte një duks flojdian
të lagur nga shiu i pranverës,
mbi një shkëmb të sheshtë
në brigjet e Gangut.
Dëgjova Welcome to the Machine
pas derës së një kabine shpëtimi në Arktik.
Dëgjova Have a Cigar teksa vërtitej
nëpër shkallët prej hekuri të një burgu viktorian.
Pink Floyd, ishit thjesht ca djem që bënit një punë
të vdekatarëve.
Por, për Zotin, ky disk është busull
dhe orë e vetëdije të përmbledhura në një.
Është një udhërrëfyes
me 44 minuta e 5 sekonda
drejt përjetësisë.
Është pafundësia e matur në pesë këngë.
Ndaj, ejani, ju rokerë progresivë,
ju të çmendur,
ju muzikantë,
ju që verboni,
ju që shkëlqeni,
ju që ndriçoni.
Sinqerisht i juaji.
Sinqerisht, gjithë safirëve të çmendur,
smeraldeve të venitur,
rubinëve të lajthitur,
diamanteve të krisur.
Përgjithmonë dhe deri në fund.
P. S. Cili është Pinku?
Ha- ha- ha- ha- ha- ha- ha ...
/Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


















































