LAJMI I FUNDIT:

Piktori i madh kodra dhe djaloshi ynë Atjon

Piktori i madh kodra dhe djaloshi ynë Atjon

Eda dhe Visar Zhiti

Piktori me famë botërore, Ibrahim Kodra, kishte shumë miq, artistë gjithandej, gazetarë të mëdhenj e aktorë filmash, piktorë natyrisht deri edhe Pikasson, poetë, madje bashkëpunoi me nobelistët italianë Eugenio Montale e Salvatore Quasimodo; ishte bashqytetar me ta në Milano, ku dhe u laurua në Akademinë “Brera”, ndërsa shkrimtarit Dino Buzati do t’i thoshte: “Po vizaton ashtu siç shkruan”, që sa e gëzoi kjo thënie atë. Po kështu vazhdoi miqësitë dhe me brezin e mëpastajmë të tyre, si me poetin dhe kritikun e artit Sebastiano Grasso etj.


Kodra njihej dhe me Heminguejin. Duam të themi se miqtë e tij të mëdhenj ishin dhe nga vende të mëdhenj. Po kështu ai çmonte shumë dhe bashkatdhetarin e tij Kadare, ndërsa në rininë e hershme, para se të ikte me studime nga Mbretëria e Shqipërisë, ilustronte reklamat për filmat e rinj, tekstet e të cilave i bënte shkrimtari që do të burgosej më vonë, Mustafa Greblleshi.

Vërtet të pafundmë janë miqtë e Kodrës, edhe të panjohur, të thjeshtë, por më të përzemërtit dhe më të bukurit për atë mbeten fëmijët.

Madje edhe ushqime pëlqente nga ato të fëminïsë dhe ne kemi patur rast t’i çonim gatime shqiptare. Ndërsa, ata që i ndejtën pranë, arbëreshi Demetrio Patitucci e pastaj deri në fund me besnikëri epike, Fatos Dashi Faslliu, sikur i dhanë copa atdheu, ngrohtësinë e bukës familjare.

Por, fëmijët, vërtet fëmijët ishin gëzim për Kodrën dhe ne duam të tregojmë diçka. Kujtojmë, e ç’të kujtojmë më parë, ja një herë në një festë me miq, kur Kodra po luante me dy fëmijë spanjollë, motër e vëlla e i tha njër nga: “Janë si engjëj”! “Jo”, u përgjigj, “janë engjëj”. Ndërsa, në vendlindjen e tij, në fshatin Ishëm të Durrësit, i rrethuar nga qindra fëmijë të shkollës, u dëgjua t’i përgjigjej gazetarit të një televizionit që po e pyeste ndër të tjera se ç’fëmijë kishte: “Ja, të gjitha këta”, tha Kodra dhe i qeshën sytë.

E kishim parë në studion e tij, që ndërsa pikturonte totemin e tij të famshëm, po i shtonte një Pinok përballë. “Do ia dhuroj një djali, kemi miqësi familjare, më dha një orë për datëlindjen”, tregoi. Në kavaletin më tej kishte mbaruar një pikturë që dhe ajo do t’i dhurohej një kirurgu, këtë radhë në vend të pagesës për një operacion që kishte kryer mbi bashkëshorten e një miku.

Ndoshta të mbi gjashtëmijë pikturat e Kodrës, të shpërndara nëpër botë në të gjithë kontinentet, kanë nga një histori.

Na pëlqen të tregojmë që Kodra i vonë u miqësua shpejt dhe me djalin tonë, Atjonin, dhe ai e deshi atë si një gjysh mitik. U takuan së pari diku aty afër “Piazza di Spagna” në Romë dhe vogëlushi ynë rrekej të largohej dhe befas binte. “Po shpik të ecmen”, tha Kodra dhe filloi të vizatonte mbi gazetën që gjendej mbi tryezën tonë, siç e kishte zakon. E ruajmë ende atë portret të djalit.

Kur u bë tre vjeç, i dha një pikturë me autograf.

Rastet e bukura nuk munguan për t’u takuar prapë. Kodrës i pëlqente të bënte lodra me fëmijët, nga ato që quhen “numra shpejtësie”: zhdukte letra, sajonte njolla nëpër duar pa u kuptuar, i mahniste fëmijët, këndonte… Lodrat që mësoi nga Kodra, Atjoni ua bënte fëmijë të tjerë dhe u dukej atyre si magjistar i vogël.

Së fundmi u panë në Tiranë. Kodra kishte sjellë një ekspozitë antologjike, më të madhen të tijën në Galerinë Kombëtare. Ishte viti 2003. Kështu u krijuan mundësitë të rrinim përsëri gjatë me Kodrën, në darkat ku ai rrethohej me personalitete të vendit e miqtë e shumtë, në hollin e hotelit ku ai tundohej si përherë të vizatonte mbi gazeta e meny, ç’gjente, duke përdorur ngjyrat që mbante në xhepat e shumtë teksa ishte i veshur dhe vetë në mënyrën më piktoreske. Por, ndodhte të përdorte për ngjyrime dhe petlat e luleve e të gjetheve përreth.

Atjoni ishte tetë vjeç dhe tani me Kodrën fliste më gjatë e kuptohej më shumë. Ruante ç’kishte vizatuar ai për të dhe pastaj në stilin e Postkubistit të Madh vizatoi një totem “Homazh Kodrës”. E titulloi siç kishte bërë dhe Kodra, “Homazh “Pikassos”.

Piktura e Atjonit do të vlerësohej më pas nga kritikë arti, nga studiuesi, profesori Gëzim Qendro, kuratori i ekspozitës së Atjonit në Tiranë, po kështu dhe nga piktori dhe botuesi i njohur Gëzim Tafa, përgatitësi i Albumit të Atjonit.

Ngjyrat e asaj miqësie që përbashkuan piktorin e madh Kodra me fëmijën me emrin Atjon, tani vezullojnë parajsërisht duke risjellë çaste jete, atë lumnim që buronte nga buzëqeshjet e tyre të çiltra, të tretura në ajrin e kaltëremë të kujtimeve, me dëshmitar Hyun.