Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për pezullimin nga detyra të dy inspektorëve të zonës dhe një zyrtari përgjegjës, pas ngjarjes së ndodhur në punishten ndërtimore në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se masat janë ndërmarrë menjëherë ndaj zyrtarëve komunalë të përfshirë në këtë rast.


“Janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës ku ka ndodhur rasti, si dhe zyrtari përgjegjës për lëndën”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se punishtet ndërtimore duhet t’i nënshtrohen kontrollit të rreptë dhe të vazhdueshëm nga Inspektorati komunal, me qëllim garantimin e sigurisë për punëtorët dhe qytetarët, si dhe cilësinë e punimeve.



“Çdo neglizhencë në këtë drejtim është e patolerueshme”, ka shtuar ai.

Rama ka bërë të ditur se, përveç procedurave disiplinore që do të zhvillohen në kuadër të institucioneve komunale, është i gatshëm për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve të nisura për këtë rast.

“Jemi të hapur për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në kuadër të hetimit të nisur për këtë rast”, ka theksuar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi edhe nga kompanitë ndërtimore, duke theksuar se ato duhet të respektojnë standardet e sigurisë dhe kushtet e punës.

“Çdo shkelje nga ana e tyre duhet të përballet me masa të rënda ligjore. Zero tolerancë ndaj askujt”, ka deklaruar Rama. /Telegrafi/