Pesë për qind për mbrojtjen ose mësoni të flisni rusisht: Spasibo, z. Rutte!

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ardhur në Londër si udhëheqësi i aleancës më të fuqishme ushtarake në planet, për të na kujtuar, neve britanikëve se, nëse nuk riinvestojmë në aftësitë tona ushtarake, atëherë më mirë të fillojmë të mësojmë rusisht.
Po të mos e kishim përjetuar një gjë të ngjashme pas “zgjimit” të vitit 1940, sot do të flisnim gjermanisht. Zhvillimet e Gjermanisë naziste të Hitlerit në vitet ‘30 të shekullit XX janë kaq frikshëm të ngjashme me veprimet e Putinit në vitet 2010 dhe 2020, saqë të shtyjnë të mendosh se po ndiqet i njëjti skenar.
Duke iu drejtuar gati drejtpërdrejt zonjës [Rachel] Reeves - përpara paraqitjes së saj për buxhetin të mërkurën - Rutte tha: “Nëse nuk shkoni në pesë për qind, duke përfshirë 3.5 për qind për shpenzimet ushtarake, mund të vazhdoni të keni NHS-në [Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë] ... sistemin e pensioneve, por më mirë mësoni rusisht. Kjo është pasoja”.
Rutte nënkupton 3.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen - në kundërshtim me objektivin e vetëm konkrete të Keir Starmerit që është 2.5 për qind - plus edhe 1.5 për qind për siguri dhe infrastrukturë.
Në disa aspekte, Rutte gabon. Nuk do të ketë as shtet social, as NHS, nëse na merr Putini. Mjafton të shohim fatin e njerëzve të zakonshëm në Rusi, të cilët mezi përballojnë të ushqehen, me inflacion dhe norma interesi mbi 20 për qind dhe në rritje. Kjo tregon se si mund të jetë jeta nën një version modern të Paktit të Varshavës.
Z. Rutte e kupton se nuk mund të qetësojmë tiranët si Putini dhe se mënyra e vetme për t’i trembur është të tregojmë forcë.
“Ne jemi seriozisht të vendosur që, nëse dikush përpiqet të na sulmojë, pasojat do të jenë shkatërruese - qoftë Rusia apo dikush tjetër”, tha ai.
Nuk duhet të përsërisim gabimet e paraardhësve tanë në vitet 1930, të cilët dështuan të riarmatoheshin në nivelin e nevojshëm për parandalim. Po të kishim kuptuar se vetëm dominimi total i Evropës do ta kënaqte Hitlerin, do të ishim përballur me kërkesat e brendshme për më shumë shpenzime sociale dhe do ta kishim shmangur luftën - jo duke i lënë agresorit rrugë të lirë, siç u përpoq të bënte Neville Chamberlain, por duke qenë mjaftueshëm të fortë që Hitleri ta shmangte ballafaqimin.
Siç kujton historia, kur Chamberlain u kthye nga Munihu duke thënë se kishte zgjedhur “paqen në kohën tonë”, Winston Churchill iu përgjigj: “Ju u përballët me një zgjedhje mes luftës dhe turpit. Zgjodhët turpin, dhe do të keni luftën”.
Nëse e analizojmë siç duhet atë që Putini na ka thënë gjatë 20 vjetëve të fundit, do të kuptojmë se vetëm rindërtimi i Bashkimit të vjetër Sovjetik do ta kënaq atë. Fakti që asnjë nga ato vende nuk dëshiron të jetë pjesë e Rusisë së Putinit, kjo do të thotë vetëm një gjë - pasi jemi të zotuar të mbrohemi sipas Nenit 5 të NATO-s: luftë. Nëse i braktisim, do të jemi të turpëruar - dhe ne do të jemi pastaj në radhë përballë një perandorie të zgjeruar me burime edhe më të mëdha.
Gjermanët, pasi kuptuan me vonesë rrezikun nga një tjetër tiran që kërkon t’i nënshtrojë, dhanë një paralajmërim të ashpër këtë javë. Z. Bruno Kahl, kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës, tha se agjencia e tij kishte të dhëna të qarta se zyrtarët rusë besonin se detyrimet për mbrojtje kolektive, të përfshira në traktatin e NATO-s, nuk kishin më fuqi reale praktike.
“Jemi mjaft të sigurt - dhe kemi informacione që e vërtetojnë këtë - se Ukraina është vetëm një hap në rrugën drejt Perëndimit”, thotë Kahl.
Sekretari i Përgjithshëm Rutte ka plotësisht të drejtë. Kjo thirrje, që vjen nga një ish-politikan liberal evropian, mund të shkaktojë kundërshtime të forta këtu, por nuk mund të injorohet. Historia na tregon se ai ka të drejtë. Fatkeqësisht, nuk duket se kemi një Churchill në mesin e politikanëve të sotëm për të na udhëhequr përballë përplasjes së ardhshme me Putinin.
Nga komentet e lexuesve në shkrimet e mia të mëparshme mbi këtë temë, kam kuptuar se ka disa që duan të dorëzohemi pa luftë. Shumica e tyre janë qartësisht bota rusë, pjesë e makinerisë së fuqishme propagandistike të Rusisë që do të donte pikërisht këtë. Por, nëse njerëzit mendojnë se jeta në Britani është e vështirë tani, le të shohin kah Lindja dhe të kuptojnë mjerimin nën të cilin jetojnë shumica e rusëve. Le ta marrim seriozisht paralajmërimin e Ruttesit dhe, siç tha dikur Donald Trump me fjalët e tij të famshme: “shtoni [build baby build]” aftësitë tona ushtarake.
Për ta thënë qartë: nëse dështojmë të mbrojmë veten tani, gjithçka tjetër që po i shqetëson njerëzit sot do të bëhet krejt e parëndësishme. /Telegrafi/


















































