Përparim Rama i drejtohet Kushtetueses: Qeveria po e bllokon punën në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se Ministria e Financave po cenon buxhetin e kryeqytetit.
Ai tha se mosbartja e buxhetit nga Ministria e Financave është shkelje kushtetuese.
“Kjo qeveri po e bllokon punën në kryeqytet”, tha Rama para gazetarëve.
Kujtojmë se prej tash e disa muajve, Komuna e Prishtinës po akuzon pushtetin qendror për mos bartjen e buxhetit për kryeqytetin.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se përgjegjësia qëndron tek komuna, e cila sipas tij është vonuar në miratimin e buxhetit nga asambleja komunale.
“Buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale deri më 30 shtator, në mënyrë që të përfshihet në Ligjin e Buxhetit që Qeveria ia dërgon Kuvendit më së voni më 31 tetor”, ka shkruar Murati në një reagim të mëhershëm. /Telegrafi/




















































