LAJMI I FUNDIT:

Përkujtohet njëqindvjetori i lindjes së Eqrem Çabejt

Përkujtohet njëqindvjetori i lindjes së Eqrem Çabejt

Gjuhëtar i madh, por edhe njëri nga kritikët e parë të letërsisë shqiptare. Ende jo aq i njohur sa duhet, për kontributin e dhënë. Në kujtim të 100-vjetorit të Eqrem Çabejt (1908-1980), është zhvilluar të premten në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, një konferencë e gjerë shkencore, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Kosova, por edhe vende të tjera si Italia, Austria, etj.

Konferenca shkencore është zhvilluar nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bukura, në Kosovë.

Për Presidentin Topi, ky vit është viti që mban dy ngjarje të rëndësishme kombëtare dhe historike.

“Viti i dy jubileve të shënuara, 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, që na dha alfabetin e shqipes, dhe 100-vjetori i lindjes së shkencëtarit të madh të gjuhësisë shqiptare, akademikut Eqrem Çabej, emri dhe vepra e të cilit na kanë mbledhur sot”,- tha Presidenti Topi, duke shtuar se jeta dhe vepra shkencore e dijetarit të ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e kombit, me gjuhën shqipe dhe me popullin shqiptar.


Në kujtim të Prof. Çabej, viti 2008 është shpallur si "Viti Çabej".

Në Konferencën akademikë të shkencave, studiues të Albanologjisë, të Departamentit të Gjuhësisë dhe të fakultetit të Histori-Filologjisë, referuan mbi aspekte të ndryshme të punës studimore të Çabejt. /shekulli/telegrafi/