Përfshirja politike dhe barazia gjinore e grave dhe vajzave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë

Shpresa Agushi, drejtore ekzekutive në RROGRAEK
Pabarazia gjinore dhe mungesa e përfshirjes adekuate në të gjithë spektrin e jetës shoqërore për vajzat dhe gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, vazhdojnë të mbeten sfiduese dhe përbëjnë çështje për të cilat ende duhet të punohet vazhdimisht. Situata e pasluftës dhe mundësitë e krijuara për këto komunitete nga faktorët ndërkombëtarë, me qëllim që edhe ato të kenë partitë e tyre politike, u realizuan fillimisht me nga një parti dhe më pas me krijimin e disa partive politike nga vetë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Organizata RROGRAEK, së bashku me organizata të tjera të grave rome, ashkalinje dhe egjiptiane, arritën të jenë pjesë e takimeve dhe proceseve të dokumentimit të organizuara nga shumë OJQ-ve të grave, lokale, qeveritare dhe ndërkombëtare, të cilat synonin që përqindja e përfshirjes së grave dhe vajzave të respektohej në çdo parti politike, përfshirë edhe partitë e këtyre komuniteteve.
Megjithatë, partitë e këtyre komuniteteve, në vitet e para të krijimit, e respektuan përqindjen gjinore duke siguruar që çdo i treti kandidat në listat zgjedhore të ishte vajzë apo grua. Si çdo fillim, edhe vajzat dhe gratë nga këto tri komunitete kishin mungesë njohurish dhe përgatitjeje adekuate për të qenë pjesë aktive e proceseve zgjedhore dhe për të shërbyer si zëri përfaqësues i grave dhe vajzave nga komunitetet e tyre. Programet partiake përmbanin vetëm përshkrime të shkurtra për përfshirjen e grave dhe vajzave, ose kjo çështje ishte pothuajse e paadresuar, gjë që ndikonte që këto vajza dhe gra të mos kishin qartësi mbi rolin dhe përgjegjësitë e tyre ndaj vetes dhe ndaj grave dhe vajzave të tjera në komunitet.
Në anën tjetër, udhëheqja e partive dominohej nga burrat, si liderë dhe përgjegjës kryesorë, në përputhje me mendësinë patriarkale, sipas së cilës gratë dhe vajzat konsideroheshin të paafta për këto role. Ato vazhdonin të ballafaqoheshin me presion familjar dhe komunitar, ku si vajza dhe gra pritej të dëgjonin dhe të respektonin vendimet e anëtarëve të familjes, të cilët vendosnin për jetën e tyre në të gjitha fushat, si dhe të përgatiteshin për rolin tradicional të kujdesit për shtëpinë dhe familjen.
Organizata RROGRAEK, e regjistruar pas luftës dhe e fokusuar në të drejtat e grave dhe vajzave si dhe në barazinë gjinore, vazhdoi punën e saj duke ngritur zërin për pozitën dhe të drejtat e grave dhe vajzave përmes avokimit në institucionet lokale, qeveritare dhe ndërkombëtare, si dhe përmes aktiviteteve të projekteve të zbatuara në komunitete. Pozita e vajzave dhe grave filloi gradualisht të ndryshonte dhe të përmirësohej përmes rritjes së nivelit të arsimimit dhe krijimit të një numri më të madh të grave dhe vajzave aktiviste në organizata të ndryshme dhe brenda vetë komuniteteve.
Herë pas here, u realizuan aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të partive politike përmes organizatave ndërkombëtare, por përfshirja e grave dhe vajzave mbeti shumë e ulët. Në të njëjtën kohë, fondet e kufizuara që kishin partitë për fushatat zgjedhore lokale dhe qendrore, ndikuan negativisht në prezantimin e punës dhe angazhimit të tyre politik në të ardhmen.
Organizata RROGRAEK dhe organizatat e tjera të këtyre komuniteteve nuk arritën të siguronin përkrahje të mjaftueshme për projekte që synonin ngritjen e kapaciteteve të grave dhe vajzave për t’u bërë kandidate profesionale dhe për të prezantuar punën e tyre në parti dhe para komuniteteve përkatëse. E gjithë kjo ndikoi që gratë dhe vajzat nga këto komunitete të jenë shumë pak të votuara dhe të zgjedhura si këshilltare komunale apo deputete në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe, në Kuvend kishte vetëm një deputete nga komuniteti ashkali me mandat katërvjeçar dhe një zëvendësministre me mandat të papërfunduar, për shkak se u largua nga pozita nga partia e saj. Ndërsa, në nivel komunal, sipas njohurive ekzistuese, kanë qenë vetëm tri këshilltare komunale në komuna të ndryshme, të cilat u angazhuan për përmirësimin dhe ndryshimin e pozitës së komuniteteve që përfaqësonin.
Megjithatë, numri i vogël i këshilltareve komunale dhe mungesa e koalicioneve me parti të tjera shpeshherë e bënin të pamundur sigurimin e përkrahjes së nevojshme për avancimin e të drejtave dhe pozitës së komuniteteve në komunat ku ato vepronin.
Vitet e fundit, partitë e këtyre komuniteteve kanë reflektuar ndryshime, duke përfshirë më shumë përmbajtje për mbështetjen e grave dhe vajzave në programet e tyre politike dhe duke rritur numrin e grave dhe vajzave anëtare. Megjithatë, partitë vazhdojnë të udhëhiqen kryesisht nga burra; fushatat politike organizohen nga burra; deputetët dhe zëvendësministrat janë kryesisht burra, ndërsa ngritja e kapaciteteve të grave dhe vajzave për t’u bërë lidere dhe udhëheqëse politike mbetet një sfidë e madhe.
Shpresa mbetet që organizatat e këtyre komuniteteve, në bashkëpunim me institucionet dhe partitë politike, të arrijnë të avokojnë dhe të ngritin kapacitetet e grave dhe vajzave, në mënyrë që në të ardhmen e afërt të kemi edhe kryetare partish politike, ministre, zëvendësministre, këshilltare komunale dhe deputete nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Për ta arritur këtë qëllim, është jashtëzakonisht e rëndësishme që organizatat e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të kenë përkrahje të vazhdueshme për projekte nga donatorët komunalë, qeveritarë dhe ndërkombëtarë, si dhe të forcohet bashkëpunimi i tyre me partitë politike.
(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)




















































