Perez dëshiron ta transferojë yllin që kushton 60 milionë, por pa paguar asnjë cent

Real Madridi vazhdon të punojë në heshtje për ndërtimin e skuadrës së së ardhmes dhe tashmë ka identifikuar një nga shtyllat e mundshme të mbrojtjes: Ibrahima Konate.
Qendërmbrojtësi francez, aktualisht pjesë e Liverpoolit, ka fituar vëmendjen e drejtuesve madrilenë si dhe të trajnerit të ardhshëm të mundshëm, Xabi Alonso, i cili beson se profili i tij përshtatet në mënyrë ideale me filozofinë dhe sistemin e lojës së Realit.
Konaté është i lidhur me Liverpoolin deri në qershor të vitit 2026, por kjo nuk përbën pengesë për klubin spanjoll. Madrilenët janë duke ndjekur me kujdes situatën e tij dhe po shqyrtojnë mundësinë që të negociojnë me lojtarin sapo të hyjë në 18 muajt e fundit të kontratës, gjë që mund ta bëjë transferimin më të lehtë dhe potencialisht pa kosto transferimi nëse palët bien dakord për një marrëveshje paraprake.
Duke qenë se vlera e mbrojtësit sipas Transfermarkt arrin në rreth 60 milionë euro, një transferim i lirë do të përbënte një goditje të madhe në treg për "Los Blancos". Klubi spanjoll është i vendosur të veprojë më shpejt se rivalët evropianë që po monitorojnë gjithashtu situatën e Konates.
26-vjeçari ka qenë një prej lojtarëve kyç në mbrojtjen e Liverpoolit dhe shihet si një përforcim i nivelit të lartë për repartin defansiv të Realit. Me një fizikun e tij të fuqishëm, përvojën në ndeshje të mëdha dhe moshën relativisht të re, Konate konsiderohet një kandidat ideal për të forcuar linjën e pasme në “Santiago Bernabeu”.
Burime pranë lojtarit sugjerojnë se ai është i hapur ndaj një transferimi në Spanjë dhe i tërhequr nga mundësia për të veshur fanellën e klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit evropian.
Muajt në vijim pritet të jenë vendimtarë për këtë çështje, ndërsa Real Madridi planifikon të lëvizë me kujdes, por me vizion të qartë për të siguruar një tjetër nënshkrim të rëndësishëm për të ardhmen. /Telegrafi/





















































