Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për të 34-në herë, ndërsa nuk pritet të ketë ndonjë lëvizje pozitive për konstituimin e legjislativit.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mos heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq partitë tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për kryeparlamentare.


Seancat po vazhdojnë të mbahen çdo 48 orë, pavarësisht se nuk po ka asnjë lëvizje drejt konstituimit të Kuvendit.

Në mungesë të kuorumit nuk po arrihet as formimi i Komisionit për votim të fshehtë.

Në këtë kontekst, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga Time Kadrijaj dhe të përkrahur nga 10 deputetë të tjerë, kanë dorëzuar që më shumë se një muaj më parë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.

Ata kërkojnë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mënyrës së formimit të këtij komisioni gjatë seancës konstituive të Kuvendit, që u mbajt më 5 maj 2025.

AAK ka shprehur shqetësime lidhur me procedurat e ndjekura, duke vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Zyra për Media e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar për Telegrafin se rasti është ende në shqyrtim.

Në një përgjigje zyrtare, Gjykata ka bërë të ditur se ende nuk është marrë ndonjë vendim. /Telegrafi/