Komuna e Pejës është në përfundim të disa projekteve të rëndësishme në fushën e Kulturës dhe Sportit.

Në mesin e këtyre projekteve janë rinovimi i Teatrit “Istref Begolli”, ndërtimi i shtegut të Atletikës në Karagaq, ndërtimi i fushës së futbollit në Baran, rinovimi i arenës sportive “Valon Begolli” gjatë vitit 2025, dhe ndërtimi i palestrës sportive në fshatin Zahaq.


Drejtoresha për Rini, Kulturë dhe Sport, Xhenet Syka, në një intervistë për Telegrafin, ka theksuar se këto investime do të përmirësojnë pamjen e qytetit dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e kulturës dhe sportit në Pejë.

Syka shpreson që të gjitha projektet, përveç palestrës në Zahaq, të përfundojnë para zgjedhjeve lokale të 2025-ës.

“Dua të besoj se përveç palestrës në Zahaq, të gjitha projektet do të përfundojnë para zgjedhjeve lokale,” ka thënë Syka.

Rinovimi i Teatrit “Istref Begolli” është një nga projektet më të rëndësishme kulturore të këtij mandati, ku pas 25 vitesh liri, ky teatër po përjeton një transformim të plotë dhe profesional.

1 24 Drejtoresha e Drejtorisë komunale për Rini, Kulturë dhe Sport Xhenet Syka

Syka ka theksuar se 70 për qind e buxhetit për këtë projekt është shpenzuar, ndërsa 30% e mbetur do të përdoret për instalimet për ndriçimin dhe zërimin e teatrit.

“Për sa i përket teatrit, është një projekt kapital dhe i pari pas 25 viteve që rinovohet profesionalisht. Deri tani është shpenzuar 70% e buxhetit dhe 30% e mbetur do të përdoret për dy lotet e fundit,” ka thënë Syka.

Sa i përket fushës së sportit, Komuna e Pejës po investon në zhvillimin e shtegut të atletikës në Parkun Karagaq dhe rinovimin e arenës sportive “Valon Begolli”.

Syka ka theksuar se shtegu i atletikës do të ndihmojë në ofrimin e kushteve të nivelit të lartë për ecje, vrapim dhe ushtrime, duke përdorur një shtresë të hollë asfalti që i paraprin tamtamit.

“Jemi duke punuar intensivisht në shtegun e atletikës në Parkun Karagaq. Ky shteg do të përdorë një shtresë të hollë asfalti për të ofruar një hapësirë të sigurt dhe të përshtatshme për aktivitetet atletike”, ka thënë Syka.

2 15

Rinovimi i arenës sportive “Valon Begolli” dhe ndërtimi i palestrës në Zahaq do të vazhdojnë gjatë vitit 2025, ndërsa shumë shpejt do të organizohet përurimi i fushës së futbollit në Baran.

“Edhe arena sportive ‘Valon Begolli’ do të rinovohet dhe do të vazhdojmë punimet në palestrën e Zahaq gjatë vitit 2025. Shumë shpejt do të ju ftojmë në përurimin e fushës së futbollit në Baran”, ka përfunduar Syka.

Me këto investime, qyteti i Pejës synon të forcojë rolin e saj si një qendër e rëndësishme kulturore dhe sportive. /Telegrafi/