Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin unanim në Kuvendin e Kosovës të rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës.

Në reagimin e saj, PDK ka vlerësuar se mbështetja nga të gjitha grupet parlamentare për këtë rezolutë dëshmon se për çështje që lidhen me historinë dhe sakrificën kombëtare duhet të ekzistojë unitet i plotë institucional.


Sipas kësaj partie, miratimi i rezolutës përbën një moment të rëndësishëm reflektimi dhe përgjegjësie politike, ku Kuvendi është ngritur mbi dallimet partiake për të nderuar viktimat e luftës dhe familjet e tyre.

PDK ka theksuar se ky vendim dëshmon se institucionet mund të veprojnë të bashkuara kur ekziston vullnet politik, sidomos në mbrojtje të vlerave themelore të shtetit.

“Mbrojtja e së vërtetës për luftën çlirimtare dhe respekti për viktimat nuk janë çështje e debatit politik, por obligim i përhershëm institucional dhe moral”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Tutje, kjo parti është zotuar se do të angazhohet për zbatimin në praktikë të vendimeve të tilla dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike nga çdo përpjekje për shtrembërim apo relativizim.

Në fund, PDK ka falënderuar të gjithë deputetët që mbështetën rezolutën, duke e cilësuar votimin si dëshmi të përgjegjësisë dhe respektit ndaj viktimave të luftës.