Pasoja të tmerrshme të uraganit Melissa, mbi 50 të vdekur në Karaibe

Uragani “Melissa” më në fund po largohet nga rajoni i Karaibeve, pasi gjatë ditëve të fundit shkaktoi shkatërrime në Xhamajkë, Haiti dhe Kubë, ku humbën jetën mbi 50 persona.
Të martën, uragani goditi Xhamajkën me forcë të jashtëzakonshme si stuhi e kategorisë së pestë, dhe banorët ende po vlerësojnë dëmet.
Më e goditura ishte zona e Black River, ku rreth 90 për qind e objekteve janë shkatërruar. Banorët thonë se janë lënë vetëm dhe po luftojnë për të mbijetuar, raporton bbc..
- YouTube www.youtube.com
Mbi 60 për qind e Xhamajkës ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa pothuajse gjysma e sistemeve të ujësjellësit janë jashtë funksioni.
Ndihma nga jashtë ka filluar të mbërrijë në aeroportin kryesor në Kingston, por aeroportet rajonale më të vogla në zonat ku ndihma humanitare është më e nevojshme ende janë vetëm pjesërisht funksionale.
Kjo stuhi ishte një nga më të fuqishmet e regjistruara ndonjëherë.
Sipas një studimi të Imperial College London, gjasat për fatkeqësi të tilla janë rritur katërfish për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore. /Telegrafi/




















































