Gjatë një kontrolli rutinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë kanë zbuluar një rast të mosdeklarimit të stoli argjendi nga një pasagjer, i cili tentoi të shmangte detyrimet doganore duke kaluar përmes kanalit të gjelbër, të destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim.

Pas kontrollit të detajuar, u gjetën mbi 1.5 kilogramë stoli me vlerë të konsiderueshme, çka çoi në nisjen e procedurave për kundërvajtje doganore ndaj personit në fjalë.


"Gjatë skanimit të bagazhit, u zbulua një sasi e konsiderueshme stoli argjendi, e cila, pas verifikimit, rezultoi të ishte 1.518,89 gram me një vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura u prezantua nga vetë pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa shmangia doganore ishte në vlerë prej 732,40 €", thuhet në njoftim.

Malli është ndaluar dhe i nënshtrohet procedurave të mëtejshme në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizës. Kundër personit në fjalë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat do të mbeten nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore të parashikuara me legjislacionin në fuqi.

Tutje, thuhet se Dogana e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në zbatimin e ligjit, në parandalimin e kontrabandës dhe në ndalimin e çdo përpjekjeje për shmangien e detyrimeve doganore.

"Apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë detyrimet ligjore lidhur me deklarimin e mallrave gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës", vijon njoftimi./Telegrafi/