Pas incidentit të papritur dhe tronditës në gjysmëfinalen e “Big Brother VIP Albania 4”, ku Jozi Marku goditi me shuplakë Gjestin duke e rrëzuar në tokë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, kanë ardhur edhe veprimet e para zyrtare nga autoritetet.

Moderatori i spektaklit, Ledion Liço, në një reagim publik të bërë menjëherë pas incidentit, konfirmoi se Jozi është njoftuar në stacionin më të afërt të policisë për të dhënë shpjegime mbi veprimin e tij të dhunshëm.


“Ky është një incident i paprecedent në historinë e Big Brother VIP Albania” – tha Ledioni.

“Produksioni në asnjë mënyrë nuk ka qenë pjesë apo nxitës i këtij akti. Dhuna nuk tolerohet dhe ne kërkojmë ndjesë publike për çdo shqetësim të shkaktuar tek publiku shqiptar që na ndjek me kaq përkushtim”, vazhdoi ai.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe opinionin publik, me shumë ndjekës që kanë shprehur shqetësim për faktin që një akt i tillë ndodhi para syve të publikut dhe gjatë një eventi të rëndësishëm siç është gjysmëfinalja e BBVA4.

Gjesti, i cili u godit në mënyrë të papritur, u ndihmua nga banorët dhe stafi dhe gjendja e tij shëndetësore duket të jetë e qëndrueshme. /Telegrafi/