Parlamenti Evropian miratoi rezolutën më të ashpër ndonjëherë për pushtetin e Vuçiqit në Serbi

Miratohet rezoluta e Parlamentit Evropian për Serbinë.
Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Serbinë, që - sipas 31 pikave të raportit - është më e ashpra ndaj regjimit në Serbi.
Autoritetet serbe u kërkohet të sqarojnë plotësisht rrethanat e rrëzimit të strehës së autobusëve në Novi Sad, të vendosin sanksione ndaj përgjegjësve dhe të japin mbështetje të plotë për studentët.
Kampi në Parkun “Pionirski” u etiketua si i paligjshëm, ndërsa u shpreh shqetësim për përfshirjen e personave me të kaluar kriminale në organizimin e antiprotesteve nga partia në pushtet.
Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, 103 ishin kundër, raporton nova.rs.
Deputetët e Parlamentit Evropian votuan për tekstin e harmonizuar që trajton polarizimin dhe shtimin e represionit në Serbi, një vit pas rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve serbe që të zbatojnë urgjentisht dhe në mënyrë të plotë të gjitha rekomandimet e OSBE dhe ODIHR për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi.
Gjatë debatit, eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos theksoi se është e pavërtetë që me vendimin e Këshillit të BE-së do të pengohet transferimi i gazit për Serbinë.
Sipas saj, “BE mbështet Serbinë që të diversifikojë të gjitha burimet e furnizimit dhe të integrohet në rrjetet energjetike të BE-së”.
Për tragjedinë e rrëzimit të strehës në Novi Sad, Kos tha se “ai moment tronditi të gjithë ne, dhe veçanërisht Serbinë”. Ajo shtoi se korrupsioni dhe mungesa e përgjegjësisë janë dy nga shkaktarët kryesorë të protestave, së bashku me mungesën e demokracisë, kufizimin e mediave dhe papërgjegjshmërinë e politikanëve.
Eurodeputetja Irena Joveva në fjalimin e saj tha se studentët serbë po përballen për demokraci, dhe “autokratëve në Beograd po i afrohet koha e ndërgjegjësimit për fajet e tyre.” Ajo kërkoi sanksione të synuara për përgjegjësit dhe theksoi se protesta nuk mund të zvarriten — “jo nesër, por tani”. /Telegrafi/


















































