"Paragllajdingu është për guximtarët dhe sypatremburit", Mentor Saiti rrëfen për këtë sport

Guximtarë dhe sypatrembur. Një njëri i cili pëlqen aventurat e sporteve ekstreme. Kështu mund ta përshkruajmë Mentor Saitin, paragllajdistin i cili vjen në një rrëfim për Telegrafi Maqedoni, ku flet për dashurinë e tij për sportin e paragllajdingut dhe aktivitetet e klubit “KONDOR” që ai e udhëheq. Intervistoi: Valon Osmani Prej kur ka filluar pasioni yt për tu marrë me Paragllajd? Pasioni im për këtë sport lindi rreth viteve 1992/93, derisa isha në shkollë fillore, dhe rastësisht pash një emision të asaj kohe për këtë sport. Nga momenti që e shikova emisionin në TV më lindi një dëshirë jashtëzakonisht e madhe për t'u marrë me këtë sport. Por në atë kohë ky sport nuk ishte gati se aspak i zhvilluar te ne, e po ashtu isha në një moshë shumë të re për t'u marrë me këtë sport. Kur fillova shkollën e mesme gjeta kontaktin e një klubi nga Prilepi që merrej me këtë sport, por edhe ata nuk më pranuan pasi që isha tepër i ri për t'u marrë me këtë sport. Por në vitin 2001, tashmë si student, arrita të gjej një klub për paragllajding në Tetovë dhe u regjistrova. Mirëpo për shkak të konfliktit në Maqedoni në 2001 u detyrova që përsëri të largohem nga ky pasion. Por nuk u dorëzova! Në vitin 2005 fillova kurs dhe pasi që e mbarova, u bëra pilot paragllajderi. Që prej vitit 2005 e deri më sot, jam tepër aktiv në këtë sport.Vlen të përmendet se, në vitin 2009 e hapa edhe klubin tim për paragllajding në Gostivar, respektivisht klubin KONDOR.
Sa është ky sport i kushtueshëm? Ky sport do të kisha thënë se nuk është edhe aq i kushtueshëm për vetë faktin se investimi që bëhet është për një periudhë disa vjeçare. Kur të përpjesëtohet shuma me kohëzgjatjen e pajisjes, nuk i bie të jetë shumë i kushtueshëm. Por në fund të fundit, çdo qejf bëhet me para (qesh).
Për të fluturuar me paragllajd, ose më mirë të them, për t'u marrë me këtë sport duhen këto pajisje: vela (paragllajdi), karrigia për pilotin, parashuta rezervë, helmeta, variometri si dhe veshmbathje adekuate që nuk e lëshojnë erën (wind stopper).
Në çfarë ngjarje garuese merrni pjesë me këtë sport? Personalisht kam marrë pjesë në shumë gara të ndryshme shtetërore, regjionale, si dhe ndërkombëtare. Por vlen të theksoj, se unë së bashku me anëtarët e klubit KONDOR deri më tani kemi organizuar 8 gara ndërkombëtare dhe një Kampionat Evropian në paragllajding, në disiplinën precision. Kampionati Evropian u mbajt këtë vit në muajin maj në Mavrovë, me emrin “Mavrovo Open”.
Çfarë do t'u sugjeroje atyre që duan ta provojnë paragllajdin? Të gjithë ata që duan të paktën ta shijojnë fluturimin, mundet të bëjnë një fluturim me ndonjë pilot të licencuar dhe ta përjetojnë adrenalinën e fluturimit. Për më të guximshmit, do ju kisha preferuar të fillojnë sa më shpejt të merren me këtë sport, të anëtarësohen në ndonjë nga klubet ekzistuese në vend dhe të bëhen pilot të pavarur.
Mentor Saitin dhe Klubin e paragllajdit ‘KONDOR” e presin dhe shumë aktivitete dhe pjesëmarrje të ndryshme gjatë vitit. Kështu, duke premtuar se do të vazhdojnë akoma të prekin kaltërsinë e qiellit dhe të shijojnë në maksimum adrenalinën e këtij sporti./Telegrafi/





















































