Pamje përrallore: Vila luksoze mbi ujëvarë, e ndërtuar gati 100 vjet më parë

Në mes të një peizazhi pyjor në Pensilvani, pjesërisht ndërtuar mbi një ujëvarë, qëndron Fallingwater, shtëpia që ka rishkruar rregullat e arkitekturës moderne
Mjeshtëria e Frank Lloyd Wright-it, e porositur në vitin 1935 si shtëpi pushimi për familjen Kaufmann, pronarë të një dyqani të njohur në Pittsburgh, edhe sot, dekada pas ndërtimit, të lë pa frymë me guximin dhe bukurinë e saj.
Arkitektura organike në veprim
Vizionit të Wright-it nuk i mjaftoi të ndërtonte një shtëpi me pamje nga ujëvara, por ai dëshironte një shtëpi që të jetonte në harmoni me ujëvarën. Kështu krijoi një shembull të lartë të filozofisë së tij të “arkitekturës organike”, bashkimit harmonik të njeriut, artit dhe natyrës. Shtëpia nuk imponohet në mjedis, por rritet prej tij. Ballkonet e saj të famshme prej betoni të armatosur, që shtrihen mbi lumin Bear Run, imitojnë shkëmbinjtë natyralë.
Wright insistoi në përdorimin e materialeve lokale; muret janë ndërtuar nga gurë rëre të nxjerrë në pronë, duke krijuar përshtypjen se shtëpia ka dalë direkt nga shkëmbi mbi të cilin qëndron. Brendësia lidhet me botën e jashtme përmes sipërfaqeve të mëdha xhami dhe dyshemeve prej guri që vazhdojnë në ballkon, duke fshirë kufirin midis brendësisë dhe jashtësisë, shkruan shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.
Lufta për mbijetesë
Megjithatë, gjenialiteti i Wright-it dhe dëshira për të kaluar kufijtë e zakonshëm sollën edhe sfida. Për shkak të ndërtimit të guximshëm, shtëpia pati që në fillim probleme serioze strukturore. Ballkonet filluan të përkulen në mënyrë shqetësuese, ndërsa lagështia e vazhdueshme solli probleme me mykun, ndaj pronari Edgar J. Kaufmann Senior në shaka e quante “Rising Mildew” (Myku në Rritje).
Pas vitit 1963, kur familja ia besoi menaxhimin organizatës jofitimprurëse Western Pennsylvania Conservancy, u bë e qartë se duhej ndërhyrje urgjente dhe e plotë për restaurim. Në fillim të shekullit 21, u realizua një projekt i madh restaurimi me vlerë mbi shtatë milionë euro. Inxhinierët instaluan një sistem kabllosh çeliku brenda trarëve prej betoni për të ndalur degradimin dhe për të siguruar të ardhmen e këtij thesar arkitektonik.
Sot, pas restaurimit të suksesshëm, Fallingwater qëndron më i fortë se kurrë. Si muze, tërheq mbi 160,000 vizitorë në vit dhe njihet si një nga arritjet më të mëdha të arkitekturës amerikane. Në vitin 2008 u përfshi në listën preliminare për statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që e fitoi zyrtarisht në 2019, duke konfirmuar rëndësinë e saj të përjetshme.
/Telegrafi/





















































