Pagjumësia, ankthi, lodhja mendore dhe shqetësime të tjera të përditshme, shpeshherë neglizhohen dhe nuk merren seriozisht – derisa fillojnë të ndikojnë në cilësinë e jetës sonë.

Në vazhdën e podcastit “Shëndeti në rend të parë” i përkrahur nga United Hospital, neurologu Dr. Blerim Myftiu ka folur për problemet më të shpeshta neurologjike dhe rëndësinë e trajtimit të tyre në kohë.


Sipas Myftiut, neurologjia përfshin një gamë të gjerë sëmundjesh që prekin trurin, palcën kurrizore, sistemin nervor periferik dhe muskujt.

Ai theksoi se problemet neurologjike mund të jenë nga më të lehtat si kokëdhimbjet e zakonshme, deri tek sëmundje të rënda si Parkinsoni, Alzheimeri, skleroza multiple apo epilepsia.

“Simptomat neurologjike janë të shumta dhe shpesh duken të ndara mes vete, por burimi i tyre është i përbashkët – sistemi nervor”, shpjegon dr. Myftiu.

Sipas tij, migrena dhe kokëdhimbjet tensionale janë ndër sëmundjet më të shpeshta që trajton, dhe shpesh kanë shkaktarë gjenetikë.

Ai sqaroi se kokëdhimbja nuk është gjithmonë një simptomë e një problemi tjetër, por në shumë raste është një sëmundje në vetvete, që kërkon trajtim të specializuar.

“Fatkeqësisht, shumë persona hezitojnë të kërkojnë ndihmë derisa simptomat bëhen kronike”, shtoi ai.

Një ndër shqetësimet më të zakonshme të pacientëve, sipas neurologut, është marramendja, mpirja e gjymtyrëve, lodhja kronike apo çrregullimet e gjumit – të gjitha këto që mund të kenë bazë neurologjike, por që shpesh ngatërrohen me lodhjen e zakonshme apo stresin.

Për më shumë ndiqni podcastin “Shëndeti në rend të parë”.

Ky podcast mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/